Durimi në zbutjen e kufizimeve për koronavirusin po jep fryte në botë, por heqja e parakohshme e tyre mund të ketë pasoja vdekjeprurëse. Një analizë e CNN-it e politikave në 18 shtete ka treguar se pjesa më e madhe e vendeve që janë përcaktuar tashmë nga BE se kanë vendosur pandeminë nën kontroll, kanë filluar të zbusin masat e tyre pasi kanë parë rënie të konsiderueshme në rastet e përditshme të koronavirusit. Në të kundërt, tre nga katër vendet me bilancin më të rëndë në botë, SHBA, Brazili dhe India, ose nuk janë mbyllur asnjëherë siç duhet ose kanë filluar rihapjen para se numri i rasteve të fillonte të binte.

BE rekomandoi hapjen e kufijve të saj të jashtëm për 15 shtete që konsiderohen të sigurt. Për të hyrë në listë, vendet duhet të plotësojnë disa kushte. Numri i rasteve të reja për 100 mijë banorë në një periudhë 14 ditore duhet të jetë i ngjashëm ose nën atë të BE dhe ata duhet të kenë një tendencë në rënie të rasteve të reja në këtë periudhë krahasuar me 14 ditët e mëparshme. Blloku po ashtu konsideron edhe masat që merr çdo vend si gjurmimi i kontakteve dhe besueshmëria e të dhënave të çdo vendi. Një ekzaminim i reagimit ndaj koronavirusit në 14 shtete tregon se ato kanë një të përbashkët. Pavarësisht presionit ekonomik, pjesa më e madhe ka refuzuar të zbusë masat e distancimit social ndërsa rastet e tyre vazhdonin të rriteshin.

Dhe kur filluan të zbusin masat e bënë në mënyrë të kujdesshme. Shkencëtarët thonë se izolimet kanë penguar qindra e milionë infektime në të gjithë botën. Një model i publikuar në revistën shkencore Nature, muajin e shkuar, përllogariti se nga fillimi i prillit, politikat e izolimit shpëtuan 285 milionë njerëz në kinë nga infektimi, 49 milionë në Itali dhe 60 milionë në SHBA.