Këshilli Politik pritet të mblidhet sot në orën 11:00 ku palët do të ulen sërish përballë njëra-tjetrës për të diskutuar propozimet e opozitës parlamentare të mbështetura nga mazhoranca për ndryshimet kushtetuese siç janë listat e hapura dhe heqja e koalicioneve parazgjedhore. Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri pasi mori përgjigjen e Opozitës së Bashkuar, zgjodhi që palët të ulen sot në orën 11:00.

Gjatë kësaj mbledhje pritet të diskutohet lidhur me ndryshimet kushtetuese përsa i përket listave të hapura dhe heqjes së koalicioneve, propozim i 28 deputetëve të opozitës parlamentare që u shqyrtua dhe u miratua pak ditë më parë nga Komisioni i Ligjeve. Gjiknuri informoi se “në këtë mbledhje Partia Socialiste do të përfaqësohet përveçse nga unë edhe nga kryetari Rama, ju bëj me dije se në rast dëshire edhe prezenca e kryetarëve përkatës të opozitës jashtëparlamentare, do të ishte plotësisht e mirëpritur nga ana jonë”. Opozita parlamentare lajmëroi se në Këshillin Politik do të përfaqësohet me Rudina Hajdarin dhe deputetin Myslym Murrizi ndërsa nga opozita jashtëparlamentare Gazment Bardhi, Petrit Vasili dhe Oerd Bylykbashi.