Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, dëshiron që kapiteni i Barcelonës, Lionel Messi, të qëndrojë në La Liga edhe më tutje, duke reaguar kështu ndaj lajmeve të fundit se argjentinasi do të largohet nga Camp Nou verën e ardhshme.

Gazeta spanjolle Cadena Ser raporton se kapiteni i Barcelonës, Lionel Messi, është i lodhur nga akuzat dhe fajësimi për të gjitha problemet në klubin katalonas dhe dëshiron të largohet në fund të kontratës së tij aktuale, në qershor të vitit 2021, transmeton Gazeta Express.

Messi i ka ndërprerë bisedimet me drejtuesit e klubit për rinovimin e kontratës së tij, sipas Cadena Ser. Ai e kishte opsionin për t’u larguar nga Barcelona edhe më 10 qershor të këtij viti, thjesht duke zgjedhur ta bëjë këtë. Megjithatë, ai vendosi të mos e shfrytëzojë këtë klauzolë në kontratën e tij, të cilën e nënshkroi në nëntor të vitit 2018 dhe që është e vlefshme deri më 30 qershor të vitit 2021. Pas fitores të së enjtes që e ngriti Real Madridin me katër pikë epërsi në krye të tabelës, Zidane e komentoi këtë lajm në konferencën për shtyp.

“Nuk e di çfarë do të ndodhë, por shpresoj të mos ndodhë ajo sepse ai është në këtë ligë dhe ne i duam më të mirët në ligën tonë”, tha Zidane. Sipas Cadena Ser, Messi është i lodhur nga të gjitha problemet që e rrethojnë klubin, lajmet e dala nga brenda klubit, atmosfera e “çuditshme” në zhveshtore dhe, mbi të gjitha, faktin që disa drejtorë në klub e fajësojnë atë për gjithçka që shkon keq në Camp nou.

Messi ia ka treguar rrethit të tij të afërt për këtë pakënaqësi, duke u ankuar se ai nuk dëshiron të marrë përgjegjësi për asgjë më shumë sesa paraqitjet e veta në fushën e lojës. Ai madje i ka ndarë planet e tij për të ardhmen me disa lojtarë kyç të Barcelonës. Messi fillimisht ishte menduar se do të qëndronte edhe më tutje në Barcelonë, por tani ai raportohet se e ka ndryshuar mendjen. Ai e ka shprehur bindjen e tij se Barcelona s’mund ta fitojë Ligën e Kampionëve me këtë skuadër që e ka dhe tani që Real Madridi po shkon drejt titullit të kampionit, Messi po fillon ta shohë fundin e karrierës së tij në Barcelonë.