Moderatori i njohur si ‘Zogu i Tiranës’ në emisionet e mëngjesit, Hermes Nikaj, ka festuar para pak ditësh ditëlindjen në një festë shumë private, për shkak se ai ndodhet ende në “Arrest shtëpie”, pasi është akuzuar për prostitucion. Mësohet se Hermes është surprizuar nga miqtë e tij më të afërt në mesnatë, të cilët i kanë trokitur në shtëpi, ku ndodhet i izoluar pas lirimit nga Burgu 313 dhe kanë festuar deri në orët e para të mëngjesit.
Ai ka marrë dhurata të shumta të markave të shtrenjta dhe plot 500 trëndafila. Hermesi ka marrë suport maksimal nga miq, kolegë dhe ndjekës të shumtë me urimet e tyre, duke e komentuar se e presin me padurim rikthimin e tij në ekran. Nuk dihet edhe sa do të zgjasë arresti në shtëpi i Nikajt, pasi ende nuk kemi një prononcim nga vetë moderatori për të hedhur dritë mbi arrestimin e tij. Ndërkohë, 26-vjeçari vazhdimisht i ka mohuar akuzat e ngritura rreth tij, duke deklaruar se është i pafajshëm.
Ndërkaq, burime pranë Prokurorisë së Tiranës bëjnë me dije se ende nuk janë mbyllur hetimet për çështjen në ngarkim të Nikajt. Mësohet se prokurorja e çështjes, Anila Galanxhi, po e ndjek këtë dosje për të marrë vendimin se ç’do të ndodhë më tej. Prezantuesi i njohur është shprehur në deklarimet e tij gjyqësore për këtë çështje se u ndalua në një dhome hoteli jashtë Tirane me partnerin e tij nga Laçi, një biznesmen i njohur, në nëntor të 2019- ës.
Bashkë me të ishte një nga mikeshat e Hermesit. Avokati i Hermes Nikajt, Bardhi Koci, ka treguar se klienti i tij nuk ka shfrytëzuar askënd dhe se nuk ka qenë pjesë e trafikut. Sipas avokatit, 26-vjeçari është viktimë dhe se gjithçka ka ndodhur me dëshirë. Në asnjë rast nuk ka pasur dhunë fizike, psikologjike, mashtrim apo detyrim, deklaroi Koci pak kohë më parë për “Report TV”.
Kujtojmë se Hermes Nikaj mori famën si model, më pas si gazetar tereni në programin “Aldo Morning Show” në “Tv Klan”, ndërsa së fundmi ishte i angazhuar në “Tv Ora”. Gjatë 2019-ës, Zogu i Tiranës, një ndër personazhet më të përfolura të showbizz-it, u komentua edhe për jetën e tij luksoze, nisur nga udhëtimet dhe shpenzimet e shfrenuara në mbarë botën, të cilat i publikonte në rrjetet e tij sociale.