Gushti nuk pritet të ketë zhvillime për politikën në përgjithësi, por për kandidatët e PD-së që synojnë të jenë deputet nesër, po. Pas miratimit formal të pesë emrave të Komisionit të Vlerësimit nga kryesia e më pas Këshilli Kombëtar, duke filluar nga e hëna e javës që vjen Partia Demokratike do të fillojë seleksionimin një më një të mbi 2000 propozimeve që kanë ardhur nga baza si kandidat për deputet.
Secili prej tyre duhet të plotësojë një formular të gjatë me 42 pyetje, dhe më pas është komisioni i Vlerësimit që do të fillojë seleksionimin bazuar jo vetëm mbi përgjigjet, por edhe në disa kritere të tjera që lidhen me angazhimin e tyre partiak dhe politik, sa i kanë mbrojtur interesat e PD-së dhe jetëgjatësia e tyre në strukturat partiake. Burime zyrtare i thanë gazetës “SI” se procesi konkret nis nga e hëna e javës që vjen përmes mbledhjesh të ngjeshura ku në fund të gjithë kësaj faze do të dalin dy lista; Lista e kandidatëve që do t’i nënshtrohen procesit të konsultimit me anëtarët dhe lista e kandidatëve që u shtyhet aprovimi. Nga 2000 emrat e propozuar nga baza ka shumëçka; nga ata të larguarit, më të rinjtë, ish-zyrtarë lokalë e deri figura partiake degësh.
Propozimet vijojnë të ndahen mes dy epokash ajo e Berishës dhe aktualja e Bashës. Është vënë re gjatë këtij procesi se të larguarit (më saktë ata që u larguan nga Basha) nuk kanë marrë mbështetje të madhe gjatë propozimit, ndërsa është parë dendur fenomeni i votimit për njëri tjetrin.
Faza e përzgjedhjes së kandidaturave është parashikuar të zgjasë deri javën e parë të shtatorit, për të kaluar sërish në bazë ku anëtarët e partisë do të votojnë sipas parimit “një anëtar, një votë”. Në një datë të shpallur paraprakisht për votim, çdo anëtar ka të drejtën që të shprehë kontestimin e tij (“votë kontestuese”) për një ose më shumë kandidatë nga lista.
Numri i lejuar i kandidatëve që mund të kontestohen, nuk duhet të jetë më shumë se 20 % e numrit total të listës së kandidatëve, për secilën degë. Kandidati që ka më shumë se 20 % “votë kontestuese”, në raport me numrin e përgjithshëm të anëtarëve të partisë në atë degë, hiqet nga lista e kandidatëve të konfirmuar dhe përfshihet në listën e kandidatëve që u shtyhet aprovimi.
I gjithë ky proces do të zgjasë dy javë, për tu kthyer pastaj lista për një tjetër “krasitje” në kryesinë e partisë. Jo më pak se 80 % të listës së kandidatëve do të jenë zanafillë e bazës, ndërsa jo më shumë se 20 % e listës së kandidatëve do të përzgjidhen nga Kryesia e PDSH-së, si prurje të reja nga bota akademike apo shoqëria civile; përfaqësues të të përndjekurve politikë apo pronarëve; përfaqësues të diasporës; përfaqësues të sipërmarrjes; personalitete politike me kontribut të gjatë në parti; etj. I gjithë procesi mbyllet në muajin tetor.