Nga Mero Baze
Të gjithë ata që kërkojnë prej Lulzim Bashës të shmangë ekspozimin e luksit, para fushatës elektorale, janë të padrejtë, edhe pse bilanci është i frikshëm. Në fillim të këtij viti ai dhe familja e gruas që e mban nga pas, kanë blerë dy vila tek një rezidencë luksoze banimi në Tiranë.
Ka bërë njëqind manovra të duket, sikur nuk i ka blerë vetë, por ka shkuar aty përkohësisht nga tërmeti, pasi ka frikë lartësitë. Por në një pikë nuk është dorëzuar. Vazhdon të jetojë tek dy vilat që ka blerë dhe tashmë dhe fshati është familjarizuar me atë si banor.
Të gjithë ata që e kritikuan pse i bleu tek Papuli e jo tek Zamiri, pse bleu dy e jo një, pse i bleu tani e jo më vonë, kanë rënë në paqe, pasi nuk kanë mundur t’ia prishin terezinë.
Për t’ua bërë të harrojnë fare dy vilat e para, ai ka blerë dhe dy vila në Hamallaj për pushime. Po bashkë me familjen e gruas. Dhe për këto e ka një arsyetim. Sivjet siç e dimë është një sezon plazhi në krizë dhe shkuarja në hotele është rrezik. Gjëja më e sigurtë është të kesh një vilë tënden. Dhe Luli ka mundësi për dy. Nuk ka pse e shmang këtë shans.
Pas kësaj është dhe më i qartë kur flet për krizën e turizmit dhe nevojën që qeveria t’u shpërndajë lekë njerëzve për pushime. Natyrisht jo të gjithëve nga një vilë, por ca lekë për motele.
Përsëri nuk është se u prek nga kritikat. Ndoshta ky është një stil i ri i një udhëheqësi të pakompleksuar nga pasuria. Qyshkurse ka ardhur nga emigrimi më 2005, ai bëri disa gjeste të çuditëshme. Deklaroi për shembull një unazë që shkonte miliona lekë, toka dhe pasuri të fituara nga familja gruas, etj.
Dhe nuk u mërzit kurrë nga kritikat.
Ndryshe nga Sali Berisha që deri më 2004 rrinte tek një apartament në Brakë për të treguar që ishte i varfër dhe pesë apartamentet e reja i blente në emër të vajzës e djalit, për t’u rehatuar aty më 2005, Luli nuk i ka këto komplekse. Ai ka arritur të blejë 4 vila për gjashtë muaj, në vitin e fundit para zgjedhjeve ku betohet se do të luftojë korrupsionin dhe oligarkët, të cilëve u ka blerë vilat. Ngjan pak sikur do t’u vërë gjobë t’i kthejnë lekët, por prap i guximshëm është. Pak a shumë si Ilir Meta se dhe ai nuk e ka kompleks të qënit të pasur.
Por në gjithë këtë histori ka vetëm një problem. Nëse nuk e ke kompleks pasurinë, nëse je i sigurt se e provon atë me të ardhurat e tua, është mirë të japë sqarime për të, pasi kështu justifikohet dhe guximi për të blerë 4 vila në gjashtë muaj.
Përndryshe kur i blen, hyn e jeton aty, del çdo ditë nga vilat dhe bën si shejtan budalla duke thënë nuk janë të mijat, dukesh dhe hajdut dhe gënjeshtar. Nuk është se njerëzit nuk janë mësuar me këto dy epitete, por kur ua kujton çdo ditë me foto vilash dhe buzëqeshje të shtirura duke i mohuar, i forcon më shumë.