Pas përfundimit të aplikimeve për t’u bërë pjesë e Akademisë së Forcave të Armatosura (AFA), kanë nisur këtë të premte testimet fizike dhe mjekësore.
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, duke publikuar foto nga procesi i testimeve fizike e mjekësore, thekson se janë 675 maturantë që kanë aplikuar deri tani për të ndjekur studimet në Akademinë e Forcave të Armatosura, ku në përfundim të procesit të testimeve do zgjidhen 60 studentët e parë të AFA.
“E nisëm maratonën e bukur të arsimimit në Akademinë e Forcave të Armatosura, në të cilën për herë të parë në muajin tetor hapet programi bachelor. Pak ditë pas përfundimit të aplikimeve, kemi grupin e parë të të rinjve, të cilët kanë zgjedhur të regjistrohen për të ndjekur studimet për shkenca ushtarake në AFA”,- thekson Xhaçka.
“Sot, konkurimi nisi me kontrollin mjekësor dhe testimin fizik përmes ekipit profesionist të mjekëve dhe pedagogëve e specialistëve të edukimit fizik në AFA. 675 maturantë kanë aplikuar deri tani për të ndjekur studimet bachelor pranë AFA dhe jemi super optimistë që në përfundim të raundit të tretë do të kemi 60 studentët e parë të shkollës sonë ushtarake, shtyllës kryesore të formimit të Forcave tona të Armatosura”,- përfundon ministrja e Mbrojtjes.
Në kuadër të programit të publikuar nga ministria e Mbrojtjes, në datat 13 deri 14 gusht, do zhvillohen testi shëndetësor dhe testi fizik. Më datat 18 -19 gusht, do zhvillohet kryerja e intervistës.