Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka mbajtur fjalën e tij në 70-vjetorin e krijimit të Institutit të Qenve të Policisë. Në referimin e tij para të pranishmëve, Lleshaj ka vlerësuar punën e kryer nga ky institut, unik në llojin e tij në vendin tonë dhe gjetkë. Lleshaj gjatë fjalës së tij nxorri në pah ndihmën e madhe që dhanë qentë e Policisë së Shtetit gjatë operacionit të kërkim-shpëtimit pas tërmetit të 26 nëntorit dhe plot operacione të tjera.
Fjala e plotë: Sot po përkujtojmë 70-vjetorin e krijimit të Institutit të Qenve të Policisë. Kjo strukturë përbën pa dyshim një ndër elementët më të rëndësishëm dhe të veçantë, madje edhe të çmuar për vetë Policinë e Shtetit. Qentë e Policisë, instruktorët e tyre ose drejtuesit e tyre, nuk shihen shpesh. Në fakt ata mund të shihen më shumë atëherë kur punët shkojnë keq. Kur ka emergjenca, tërmete, aksione me rrezikshmëri të lartë për jetën, rasteve të kontrolleve të imëta, të specializuara etj..
Prej dhjetëra e mijëra vjetësh, kjo qenie i rri pranë njeriut duke i dëshmuar atij më shumë se çdo gjë tjetër, besnikëri, por cilësi të tjera të veçanta shërbimi. Në gjithë botën, policia, ushtria, forcat e kërkim shpëtimit dhe të tjera struktura, i përdorin qentë e stërvitur si kapacitet i rrallë dhe shumë i dobishëm. Madje nuk mungojnë rastet kur qentë marrin mirënjohje të larta për raste të vërteta të heroizmit, që kryhen në mbështetje të jetës dhe të sigurisë së njerëzve. Kjo përvojë 70-vjeçare e Institutit të Përgatitjes së Qenve të Policisë është një pasuri e rëndësishme e Policisë së Shtetit edhe e vendit tonë në tërësi, për sa kohë që ky Institut është i vetmi i këtij lloji në vendin tonë, madje edhe pak më gjerë.
U përmend që qentë në polici kanë kryer misione të rëndësishme për kërkimin dhe zbulimin e lëndëve narkotike, të eksplozivëve dhe armëve, kartëmonedhave, gjurmim-patrullim dhe kërkime në rastet e fatkeqësive natyrore dhe atyre urbane. Edhe pse gjatë operacionit të kërkim-shpëtimit pas tërmetit të vitit të kaluar vëmendjen e morën qentë e misioneve të huaja të ndihmës që erdhën në Shqipëri, duhet thënë se edhe qentë e Policisë Shqiptare luanin një rol shumë të rëndësishëm në shpëtimin e jetës njerëzore të personave që ishin nën rrënojat e tërmetit.
Në fakt janë të përditshme situatat kur qentë angazhohen në mbështetje të operacioneve policore, me shkallë të lartë vështirësie, duke dhënë kështu një ndihmë të pazëvendësueshme. Në raste të shumta kanë qenë qentë që kanë zbuluar sasi të ndryshme drogash, parash, armësh të fshehura, eksplozivësh apo kanë ndihmuar në neutralizimin e elementëve me rrezikshmëri të lartë gjatë operacioneve të ndryshme policore. Nevoja për angazhimin e qenve të policisë, në ndihmë të misioneve të saj, apo strukturave të tjera, rritet përditë, bashkë me rritjen e kompleksitetit të përballjes me krimin, luftën në tërësi, terrorizmin, apo edhe me fatkeqësitë e natyrës.
Sigurisht që kur flasim për qenin e policisë, flasim për asete të mirëfillta dhe të rralla prapa të cilave qendron një angazhim i madh njerëzor. Janë njerëzit, punonjësit e specializuar të policisë ata që i krijojnë këto kapacitete unike. Prandaj, sa herë që mrekullohemi nga aftësitë e rralla të qenve gjatë operacioneve policore, duhet të mendojmë përherë edhe për instruktorët, apo drejtuesit e tyre, dhe drejtuesit e tjerë të institutit, pa të cilët qentë e policisë do të ishin thjeshtë kafshë shtëpiake, simpatike, siç janë edhe qentë e tjerë. Por vetëm kaq. Janë këta punonjës të këtij instituti ata që bëjnë diferencën, ata që i shndërrojnë qentë e zakonshëm në asete të rralla policore, duke kontribuar ndjeshëm në rritjen e efektivitetit të operacionit të Policisë së Shtetit.Me këtë rast, unë kam mundësinë të shpreh mirënjohjen për gjithë ata profesionistë, që përgjatë 7 dekadave, me perkushtim dhe përgjegjësi ngritën dhe zhvilluan një shërbim shumë të veçantë dhe të dobishëm në interes të sigurisë publike. Ne do të vazhdojmë ta mirëmbajmë dhe ta thellojmë më tej përvojën e jashtëzakonshme, të akumuluar përgjatë këtyre dekadave në këtë strukturë unike.
Përpjekjet tona për vijimin e traditës së institutit dhe zgjerimin e angazhimit të qenve në funksion të përmirësimit të mëtejshëm të parametrave të sigurisë publike në vend, do të përqendrohen në këto drejtime kryesore: Së pari, në përmirësimin e ndjeshëm të kushteve të punës, të stërvitjes dhe të kërkimit në këtë qendër; Së dyti, në zgjerimin e kapaciteteve përmes futjes më të gjerë nëpër struktura të qenve me aftësi të veçanta, sidomos të atyre për kontrolle në fushën e narkotikëve, armëve, eksplozivëve, parave dhe ruajtjes së objekteve. Modernizimin e procesit të mbarështrimit të qenve të racave të ndryshme në funksion të misioneve policore dhe më gjerë si dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar me struktura homologe të vendeve partnere.
Të nderuar pjesëmarrës,
Ka shumë situata ku as njeriu dhe as teknologjia nuk mund t’i kryejnë ato detyra që kryejnë qentë e mirëstërvitur. Investimi në këtë sektor në fakt është modernizim. Ai rrit efektivitetin e angazhimit të policisë dhe ul rriskun për jetën dhe shëndetin e punonjësve të saj.Me këtë rast unë ju inkurajoj të mendoni më thellë për rritjen e kapaciteteve të kësaj njësie si dhë për zgjerimin e këtij shërbimi në të gjithë Policinë e Shtetit, sipas përvojave më të mira botërore. Ka ardhur koha që qentë të marrin rol të shtuar, edhe në fusha të tjera, ku veçoj ruajtjen e objekteve, në të cilën ata mund të kryejnë shërbime shumë të dobishme dhe mund ta reduktojnë ndjeshëm nevojën për angazhim të shtuar të burimeve njerëzore. Në fakt ka ardhur koha për të menduar edhe për rolin që mund të marrin edhe kafshë të tjera, si kuajt, në shërbim të operaciove policore, kryesisht në patrullim të zonave të vështira malore dhe në situata të tjera në pajtim me përvojat më të mira botërore por kjo është një temë tjetër, për të cilën sot gjej rastin vetëm për t’ju ftuar të filloni të mendoni për sa kohë që jemi në një veprimtari që u kushtohet kafshëve, që prej mijëra vjetësh ndihmojnë me besnikëri njeriun. Faleminderit!