Juventusi u përshëndet para kohe me Ligën e Kampionëve, pa shkuar dot as në çerekfinale. Fitorja 2-1 e mbrëmshme ndaj Lyon nuk ishte e mjaftueshme për t’u kualifikuar në “Final Eigt” të Lisbonës. Në fund të ndeshjes, presidenti Andrea Agnelli foli për “Sky Sport”, duke bërë një vlerësim të përgjithshëm të sezonit, midis gjërave pozitive dhe negative:
“Ishte një sezon shumë i vështirë, ne shkruam një faqe fantastike futbolli, duke fituar kampionatin e nëntë radhazi me Sarrin, i cili kishte bërë diçka të jashtëzakonshme në Itali. Në Ligën e Kampionëve jemi të zhgënjyer, është një rezultat zhgënjyes për të gjithë. Nëse më parë kishim një ëndërr, sot kemi një qëllim. Të eliminohesh kështu me Lyon do të thotë zhgënjim për të gjithë. Do të marrim disa ditë dhe do të bëjmë vlerësimet për sezonin e ardhshëm”.
Vlerësime të cilat, sipas presidentit, do të përfshijnë gjithashtu trajnerin: “Unë interesohem për klubin. Juventusi ka objektiva dhe ato duhet të realizohen, në Itali dhe jashtë tij. Ne kemi lojtarin më të mirë në historinë e Ligës së Kampionëve. Largohemi përsëri, entuziasmi duhet përtërirë. Le ta fillojmë si gjithnjë nga pika zero. Balancimi bëhet me trajnerin dhe stafin, për të pasur një analizë të plotë. Duhet të përqendrohemi në objektivat e humbur dhe të arritur. Do të bëjmë vlerësime për mënyrën se si të gjejmë entuziasmin e duhur, i cili duhet të na bëjë të luajmë me dëshirë dhe të fitojmë. Që ne kemi një nga skuadrat më të vjetra në Europë, kjo mund të jetë një temë diskutimi. Kur dikush ndryshon shumë, e di se do të ketë vështirësi. Ne i kemi kapërcyer ato, duke fituar kampionatin e nëntë radhazi”.
Agnelli konfirmoi gjithashtu se Cristiano Ronaldo nuk do t’i lërë ngjyrat bardhezi gjatë verës: “E kuptoj që historia e “France Football” është rezultat i një interviste të disa muajve më parë. Gjithnjë e më shumë ka disa truke, që duan të rishfaqen… Cristiano është shtyllë e Juventusit”. Konfirmime edhe për ekipin menaxhues, të përbërë nga Nedved, Paratici dhe Cherubini: “Disa ditë më pare i urova menaxherët, Nedved, Paratici dhe Cherubini, dhe i ripërtëris këto urime. Unë kam një ekip të fortë menaxhues, i mbaj afër dhe punoj me to. Kur na ra Lyon në short, askush nuk ankua. Në rradhën e nderit mbetet emri i fituesit. Pjesa tjetër nuk llogaritet. Ne do të bëjmë të gjitha vlerësimet për të qenë në gjendje t’ia fillojmë përsëri. Ne do të fillojmë nga e para”.