Edhe pse vendi ka qenë gjatë kësaj kohe nën një situatë jo të zakontë për shkak të pandemisë, sipas Partisë Demokratike tenderat e qeverisë për fasada nuk kanë ndaluar. Zëdhënësja e selisë blu, Ina Zhupa, ka denoncuar sot rastin e drejtorit të Transportit Rrugor Blendi Goxhja, i cili sipas saj ka zhvilluar tendera luksi, ndërkohë që bizneset shqiptare ishin drejt falimentimit.

“Kur qytetarët ishin të mbyllur në shtëpi, kur bizneset u mbyllën dhe mijëra njerëz humbën punën, Blendi Gonxhe ka zhvilluar 8 tendera për fasadat e godinave dhe riskintruksione zyrash. Janë rreth 1.7 milionë euro të shpenzuara për luks nga Blendi Gonxhe, kur bizneset në karantinë detyroheshin të paguanin faturat afrofe të ujit dhe dritave, që qeverisë së Edi Ramës të mos i mungonin paratë për luks”, tha Zhupa. Por, ky nuk është rasti i vetëm i denocuar nga Partia Demokratike, që Gonxhja sipas saj abuzon me paratë publike. “Më herët, Partia Demokratike ka bërë publike të dhëna dhe dokumenta zyrtarë që provojnë se drejtori i Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja, në konflikt interesi me postin që mban, ka përfituar për kompaninë e tij private të transporteve, mbi 220 milionë lekë para publike”, shtoi ajo. Euronews Albania kontaktoi Drejtorin e Transportit Rrugor, z. Gonxhja i cili i hodhi poshtë akuzat e PD si përbaltje ndaj tij dhe institucionit që ai drejton.

“Çdo procedurë prokurimi për investime nga ana e DPSHTRR është zhvilluar me garë, elektronikisht, përmes APP, e hapur dhe konform ligjit! Ofertat fituese janë mesatarisht 10% nën fond limit! (Një info e detajuar do publikohet me këtë rast!),” deklaroi për Euronews Albania drejtori Gonxhja. “Kontratat e lidhura përpara Pandemisë, që lidhen me investime infrastrukturore përfshinin rikualifikime e sistemime, zgjerime, izolime, ndërhyrje në hapësirat e jashtme por edhe salla shërbimi e testimi, arkiva, ambiente sanitare, ambiente teknike e sisteme sigurie e monitorimi, sisteme radhe a sinjalistike, ajrimi, rrjete ,etj. nuk mundet kurrsesi të etiketohen si FASADA, janë prova të qarta të punimeve komplekse, me disa faza, brenda e jashtë me synim thelbësor modernizimin e shërbimit dhe komoditetin për qytetarët/subjektet! DRSHTRR-të Tiranë, Fier, Elbasan, Durrës, Shkodër, Vlorë do pasohen edhe nga rehabilitimet në Lushnje, Gjirokastër, etj,” sqaroi ai. Drejtoria e Transportit Rrugor iu përgjigj gjithashtu akuzës së PD për kontrastin e punës së institucionit dhe jetesës së qytetarëve:Sa i takon  akuzës se jemi të pandjeshëm për hallet e qytetarëve, riinformojmë PD-në se DPSHTRR ka kontribuar falë mirëadministrimit të fondeve dhe rezultateve rekord të vitit 2019, nëpërmjet dy paketave të solidarititetit në vlerë totale: 310,160,500 Lekë të reja ose rreth 2.5 milionë euro, në ndihmë të sektorit të transportit rrugor të pasagjerëve, nga ku:

Mbulim 100% i Taksës Vjetore të Mjeteve të Përdorura (TVMP) për 7,204 mjete të transportit rrugor të pasagjerëve të kategorisë autobus (mbi 8+1) në vlerën 170,194,500 Lekë! (Duke kompensuar fondin, që të mos i mungonin këto para bashkive që marrin 24% dhe buxhetit të shtetit që arkëton 76% të totalit!) +5,191 Paga Lufte për punonjësit dhe të larguarit nga puna për Qershorin 2020 me efekt financiar prej 134,966,000 Lekë!
Aq të pandjeshëm jemi si ekip sa u solidarizuam me zemër për familjen Alstafa në Bërxullë, Bashkia Vorë, duke kontribuar vullnetarisht me të gjithë fondin (3,6 milionë Lekë të reja!) për rindërtimin, pajisjet dhe mobilimin e ri, të shtëpisë së re për familjen me 6 anëtarë! DPSHTRR si ekip dhe si ent ka qenë në krye të kontributit për emergjencën e tërmetit, me transportime, ndihma ushqimore e financiare familjeve të prekura, vullnetarë, qendër strehimi, etj. në vlerën prej 8.3 milionë Lekë të reja!