Përhapja e heshtur e koronavirusit ka intensifikuar përpjekjet e shkencëtarëve për të kuptuar këtë proces dhe për gjetur menyra të parandalimit të tij. Ndërsa bota është në pritje të një vaksine, disa studime po përpiqen të gjejnë njerëz të infektuar me koronavirus para se ata të shfaqin simptoma. Një nga misteret e mëdha të koronavirusit është shpejtësia me të cilën u përhap në të gjithë botën. Ai së pari u përhap në Kinën qendrore dhe, brenda tre muajve, arriti në të gjitha kontinentet, përveç Antarktidës, duke çuar në mbylljen e ekonomive të shumë vendeve. Një nga arsyet e përhapjes së shpejtë të koronavirusit në fillim i befasoi shkencëtarët, shqetësoi autoritetet shëndetësore dhe minoi përpjekjet e hershme për të vënë nën kontroll virusin. Është fjala për përhapjen e virusit nga personat në dukje të shëndetshëm, ata të cilët ishin të infektuar por nuk tregonin simptoma.

“Është një sulmues i heshtur në shumë mënyra. Së pari, personi nuk e di se ka simptoma. Kjo është e ndryshme nga dikush që nuk ka simptoma, por më pas i zhvillon ato. Kjo është faza para-simptomatike. Pra, ne po flasim për njerëz që kurrë nuk shfaqin simptoma“, thotë Dr. Eric Topol, drejtues i Institutit të Kërkimeve Translational Scripps. Studiuesit kanë ekspozuar mundësinë e frikshme të përhapjes së heshtur të virusit nga bartësit asimptomatikë dhe parasimptomatikë. Por ende nuk ka përgjigje mbi atë se sa i madh është roli personave të shëndetshëm në rritjen e numrit të të infektuarve, dhe kjo është në krye të axhendës shkencore.

Sipas shkencëtarëve, rreth 40 për qind e të infektuarve me Covid-19 nuk shfaqin simptoma dhe për gjetjen e tyre janë duke u zhvilluar disa studime në të gjithë botën. Në Institutin Kërkimor Translational Scripps në San Diego, Dr. Topol udhëheq një ekip shkencëtarësh që grumbullon informacione nga pajisjet e vendosura në trupin e njeriut si orët inteligjente ose fitbitet, pajisjet që monitorojnë zemrën. Studimi DETECT monitoron rrahjet e zemrës së një personi dhe lejon pjesëmarrësit të regjistrojnë simptoma si ethet ose kollitjet përmes pajisjes së tyre dhe t’i ndajnë ato me shkencëtarët.

“Ne ka të ngjarë të jemi në gjendje të ndihmojmë në gjetjen e njerëzve që nuk e dinë se janë të infektuar, ose një shpërthim të virusit që ne as nuk e dimë që është në fazat e hershme. Kështu që ne mund të marrim masa për ta vënë këtë nën kontroll“, shpjegon ai. Në fillim të korrikut, pajisjet fitbits u janë dhënë disa punonjësve me shpresën për rekrutimin e shumë njerëzve të tjerë për studimin. “Unë po marrë pjesë në këtë studim sepse kam anëtarë të familjes që janë të prekur nga Covid-19. Unë do të doja të ndihmoja dikë tjetër, në mënyrë që familjet e tyre të mos përjetojnë atë që përjetoi familja ime“, thotë Monica Valencia, nënë e dy fëmijëve.

Në Universitetin e Kalifornisë në Berkeley, shkencëtarët po mbledhin pështymën e vullnetarëve në përpjekje për të gjetuar njerëz të infektuar asimptomatikë për të parandaluar përhapjen e virusit. “Testimi i pështymës është shumë më i thjeshtë. Njerëzit thjeshtë përshtyjnë në një tub, dhe ne mendojmë se gjithë procesi zgjat pesë ose gjashtë minuta në qendrën tonë të testimit. Kështu që shpresojmë ta bëjmë sa më të thjeshtë dhe të lehtë për njerëzit në mënyrë që ata të vijnë dhe të testohen“, tha Jennifer Doudna, themeluese e Institutit Novator të Gjenomit në Univeristetin e Kalifornisë në Berkeley.

Zonja Doudna, e cila është e njohur edhe për punën e saj me pajisjen e redaktimit të gjeneve, CRISPR, thotë se testimi i pështymës është një mënyrë e thjeshtë për të zbuluar përbërjen gjenetike të virusit. Hunda dhe goja janë pikat më të përshtatshme të hyrjes së koronavirusit në trupin e njeriut. Nivelet e virusit rriten në rrugët e frymëmarrjes, pa shfaqur simptoma në ditët e para të infeksionit. Shumë shkencëtarë besojnë se gjatë kësaj periudhe, njerëzit mund të përhapin virusin duke folur, ose përmes frymëmarrjes, këndimit në grup dhe prekjes së sipërfaqeve të infektuara.

Në situatat kur të infektuarit janë vërtetë asimptomatikë, sistemi imunitar i tyre e fiton betejën me virusin përpara se ata të ndjehen të sëmurë. Një studim i vogël kinez, i botuar më 27 maj, zbuloi se pacientët e infektuar pa simptoma e përhapin virusin për një periudhë më të shkurtër, mesatarisht gjashtë ditë më pak se ata me simptoma. Ende vazhdon të ketë dyshim në mesin e shkencëtarëve, veçanërisht atyre të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e cila ka minimizuar rëndësinë e infeksionit asimptomatik. Për muaj të tërë, OBSH-ja pohoi se përhapja asimptomatike nuk ishte një shkaktarë i rëndësishëm i përhapjes së pandemisë, por kohët e fundit filloi të pranojë këtë mundësi dhe i këshilloi njerëzit të përdorin maska.

Zyrtarët amerikanë të shëndetësisë kanë fajësuar Kinën për vonesat në shpërndarjen e informacionit për përhapjen e heshtur të sëmundjes. Por Topol pretendon se Shtetet e Bashkaura mund të kishin ngritur programin e vet të testimit me sekuencën e gjenomit viral. Fitimi i qartësisë shkencore më herët do të kishte mundur të shpëtonte jetë, tha ai.