Nga Mero Baze/

Shqiptarët në Maqedoni kanë fituar një premtim për një kryeministër shqiptar, nëse krijohen kushtet në 100 ditët e fundit të mandatit, e cila duket se është një mënyrë për ta tejkaluar retorikën e fushatës zgjedhore të Ali Ahmetit. Por përtej kësaj shqiptarët kanë fituar pozita të forta politike duke marrë kryesimin e Kuvendit, Ministrinë e Jashtme, Ministrinë e Financave dhe zëvendëskryeministrin e parë. Politikani veteran i BDI Ali Ahmeti, arriti të lërë në minorancë rivalët e tjerë nacionalistë shqiptarë, duke rritur retorikën nacionaliste “për një kryeministër shqiptar” dhe duke i bërë ata fajtorë të përça rjes së faktorit shqiptar. Falë abstenimit të votuesve maqedonas dhe garës së fortë mes shqiptarëve, këta të fundit kanë arritur një rekord historik deputetësh dhe një rekord historik përfaqësimi në qeveri.

Por këto rekorde janë brenda statukuos së shqiptarëve në Maqedoni si pakicë e paintegruar, që nuk sjellin ndonjë frymë ndryshimi. Thjeshtë u kanë marrë më shumë pushtet palës maqedonase në emër të elektoratit shqiptar. Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Maqedoni sot është mbi nivelin e asaj çfarë përfaqësojnë realisht qytetarët shqiptarë në Maqedoni. Por ndryshimi nuk vjen nga avancimi i elitës politike në pushtet, por nga integrimi real i shqiptarëve në Maqedoni dhe avancimi i statusit të tyre, si qytetarë të dorës së dytë në qytetarë normalë të Maqedonisë.

Sot shqiptarët kanë maksimumin e fitoreve politike që ata mund të kenë për një kohë të gjatë në Maqedoni, pasi kanë kryeparlamentarin, kanë Ministrin e Jashtëm, Ministrin e Financave dhe Zëvendëskryeministrin e parë, por qytetarët shqiptarë në Maqedoni janë sërisht më të varfër se ato maqedonas, më pak të integruar se ata në sistemin administratës të Maqedonisë, më pak të shkolluar, më pak të përfaqësuar në ushtri, polici dhe arsim, dhe pse të mos themi dhe më pak të prirur të integrohen si shtetas të Maqedonisë. Kjo vjen nga fakti se në Maqedoni, gara për statusin e shqiptarëve është në nivel politik dhe jo në integrimin real të shqiptarëve.

Elitës politike shqiptare në Maqedoni, u intereson një geto shqiptarësh të cilët mund t’i gënjesh me retorikë patriotike, mund t’i mobilizosh duke u thënë se do kemi kryeministrin shqiptar, mund të iluzionosh me kandidaturë presidenti shqiptar, dhe në fund t’i përdorësh për të rritur kuotat në pushtetin politik të Maqedonisë, duke i shtyrë ata dhe më larg Maqedonisë. Pra kemi një ecje në kah të kundërt të përfaqësimit politik të shqiptarëve, me kahjen e shoqërisë shqiptare në Maqedoni. Për t’u ngjitur lart dhe për të kapur pushtetin, elita politike shqiptare në Maqedoni, po e getoizon dhe më shumë elektoratin me retorikë patriotike, ndërsa vetë integrohet në poste të rëndësishme politike.

Kjo është arsyeja që ky nivel i lartë përfaqësimi politik nuk përbën ndryshim, por avancim politik brenda të njëjtës statukuo politike, ku votuesit shqiptarë duhen të jenë sa më shumë shqiptarë, që elita politike të jetë sa më shumë maqedonase. Pra e thënë më thjeshtë, politikanëve shqiptarë po i intereson një geto shqiptare e paintegruar në shoqërinë maqedonase, votat e së cilës t’i përdorin për më shumë përfaqësim në pushtetin e Maqedonisë. Kjo gjë nuk e ndryshon Maqedoninë dhe as shqiptarët, por forcon ndarjet brenda saj. Fushata për një kryeministër shqiptar e Ali Ahmetit apo fushata e Blerim Rekës për president shqiptar, janë ilustrimi më i mirë se votat e shqiptarëve merren duke u mbushur mendjen se duhet të jetojnë më vete maqedonasve.

Kjo ndan më shumë shqiptarët nga Maqedonia dhe afron më shumë politikanët shqiptarë me pushtetin e Maqedonisë. Ndaj nuk përbën ndryshim cilësor për statusin e shqiptarëve, por ndryshim sasior për pushtetin e politikanëve shqiptarë. Ndryshimi do të fillojë kur shqiptarët të ta japin votën për bashkëjetesë me maqedonasit, kur të të votojnë se besojnë tek një shoqëri më e pasur, më e drejtë, më e barabartë nga pikëpamja etnike dhe më pak e korruptuar dhe jo tek një shoqëri e getoizuar, ku njëra palë flet në emër të shqiptarëve e tjetra në emër të maqedonasve, por meqë u duhet pushteti qendror, i bëjnë ndere njëri tjetrit, duke qenë tolerantë në kabinetin qeveritar.

Marrëveshja e sotme është historike pasi i bën shqiptarët të barabartë dhe të përfaqësuar denjësisht në pushtetin qendror të Maqedonisë, në atë shtet ku shqiptarët e thjeshtë edukohen të mos e duan por të bashkohen kundër maqedonasve, sa herë ka zgjedhje. Historike do të jetë realisht kur shqiptarët e thjeshtë të jenë po aq të barabartë me maqedonasit, sa janë bërë të barabartë me votat e tyre, politikanët shqiptarë me ata maqedonas sonte në mbrëmje.