Duket se gjigandi i madh i teknologjisë ‘Apple’, është dorëzuar dhe e ka vendosur më në fund Kosovën në hartë. Peticioni i nënshkruar nga 197 mijë e 175 qytetarë duket se ka pasur sukses.Nismës për të vendosur Kosovën në hartë nën moton ‘Put Kosovo on the map’, iu bashkuan këngëtaret me famë botërore si Bebe Rexha, Rita Ora, Dua Lipa. Jo vetëm këto por edhe shumë personazhe të tjerë nga Shqipëria dhe Kosova të cilët i bënin thirrje ‘Apple’ që të njihte Kosovën. Pas kësaj në faqen change.org u hap edhe një peticion. Kësaj nisme ju bashku edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila u shpreh se aplikacionet e Apple janë zhvilluar në Kosovë, prandaj Kosova është pjesë e botës së Apple. “Shumë nga aplikacionet tuaja në App Store janë zhvilluar në Kosovë, me shumë tjera që do të zhvillohen pasi ju i bëtë shërbimet tuaja të qasshme këtu. Apple, Kosova është qartazi pjesë e botës tuaj, të sigurohemi që të kemi mundësi ta shohim atë edhe në hartën tuaj”, tha Osmani.

Kujtojmë që Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, bashkë me homologun e saj në Shqipëri, Gent Cakajn, i dërguan një letër drejtorit ekzekutiv të Kompanisë Apple, z. Tim Cook, ku i kërkuan marrjen e masave për të vendosur kufijtë e Kosovës në shërbimin e Apple Maps. Duket se pas të gjitha këtyre fushatave qëllimi u arrit pasi Kosova u vendos në hartë.