Arsenali është fituesi i Kupës FA për këtë edicion në futbollin anglez, duke i dhënë fund këtij sezoni të çuditshëm futbollistik edhe në Angli. Skuadra e drejtuar nga Mikel Arteta ka fituar 2-1 me përmbysje përballë Çelsit në derbin londinez të kësaj finaleje, duke i dhënë teknikut spanjoll trofeun e tijë të parë në këtë etapë të re të karrierës. Arsenalit iu desh të përmbyste golin e bluve të cilët shënuan që në minutat e parë me anë të Pulishiç, amerikani i parë që shënon në një finale të Kupës FA.

Ishte Aubamjeang ai që arriti të barazonte shifrat me një penallti në minutën e 28 të ndehsjes e të siguronte që pjesa e parë të mbyllej në barazi. Përsëri kapiteni i “topçinjve” ishte ai që shënoi në pjesën e dytë, duke përfituar nga pasimi i Pepe. Më pas, gjërat u bënë më të thjeshta për Arsenalin pasi Çelsi mbeti me 10 lojtarë si pasojë e kartonit të kuq të Kovaçiç, duke i mundësuar ekipit të Artetës të administronte rezultatain dhe të siguronte këtë trofe shumë të rëndësishëm për klubin.