Covid-19 është një virusi i ri, dhe si i tillë mbetet i veshur me mister, edhe pse shkencëtarët nëpër botë tani kanë arritur ta kuptojnë pak më shumë se më parë. Një prej pikëpyetjeve të mëdha të kësaj mbetet ajo e lidhur me asimptomatikët, që thuhet se e përhapin sëmundjen pa e ditur as vetë që janë të prekur prej saj.
Sipas “Washington Post”, në Arkansas, Karolinën e Veriut, Ohio e Virginia, në burgje ka më shumë se 3 mijë të infektuar dhe 96% e tyre, nuk kanë asnjë simptomë. Monica Gandhi, eksperte e sëmundjeve infektive në Universitetin e San Franciscos në Kaliforni, përmend një hipotezë të re, që po gjen terren gjithmonë e më shumë, sipas të cilës një pjesë e popullsisë mund të jetë ekspozuar ndaj diçkaje të ngjashme me Sars-Cov-2 që përpara se të zbulohej virusi i ri.
Në qoftë kështu, atëherë kjo do të thotë se mes nesh ka persona që janë prekur më parë dhe janë imunizuar vetë. Mjekja në fjalë thotë se për të dalë në këtë përfundim janë mbledhur të gjitha informacionet e mundshme mbi asimptomatikët nisur nga të dhënat e Qendrës për Kontrollin e Parandalimin e sëmundjeve në Atlanta. Ajo thotë se sistemi imunitar i njeriut është një makineri perfekte e kujtesës dhe mban mend çdo gjë me të cilën është përballur në të shkuarën, e kjo falë qelizave T apo limfociteve të memories.