Nga Ylli Pata

Jared Kushner, nuk është thjesht dhëndri i Presidentit Donald Trump, përkatësisht bashkëshorti i bijës së tij Ivanka Trump.

Si Kushner dhe Ivanka Trump janë dy nga personazhet më të rëndësishëm jo thjesht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por në mbarë botën.

Është e vërtetë se qënia në familjen e njeriut më të fuqishëm të botës ndihmon, por nga ana tjetër, që në mandatin e parë, por sot gjithnjë e më shumë sot, ky çift është protagonist i politikës, biznesit, shoqërisë së lartë amerikane dhe më gjerë.

Sulmi ndaj tij, u përzgjodh me kujdes nga truri i demokratëve amerikanë, përkatësisht pjesës më të majtë të saj, pasi ka dështuar demonizimi tashmë që prej vitit 2016 i Donald Trump.

Demonizim, i cili jo vetëm nuk solli asnjë rezultat pozitiv për demokratët e SHBA, por e ka kthyer Donald Trumpin në një politikan “të pamposhtur”.

Fuqia potenciale e Presidentit amerikan nuk është vetëm politike, ushtarake apo gjeopolitike, por edhe si fuqi komunikimi, Trump është një brand që i ka çuar aksionet e tij në qiell. Qoftë ato politike qoftë ato financiare. Madje shpesh nga tavolina e tij ikonike në Zyrën Ovale jep këshilla se kur duhet të blihen aksione të një malli apo industrie të caktuar dhe kur duhet të shiten.

Shpesh ja ka qëlluar, falë shumë faktorëve, ku natyrisht në radhë të parë është talenti i tij, por edhe për faj të demokratëve që e demonizuan aq shumë sa kur nuk e vranë, e forcuan.

Një eksperiment i provuar 100% në Europë, në një vend pranë nesh, në kohën e mentorit(në distancë) të Donald Trumpit-Silvio Berlusconi. Deri sa vdiq e vizatuan si përbindësh, e përndoqën, akuzuan, demonizuan etj etj.

Sot, Silvio Berlusconi, edhe pas vdekjes e ndjek politikën italiane ditë për ditë, kur dalin çështje që kanë të bëjnë me të e mënyrën që ju hodhën përsipër. Favore që në radhë të parë i vlejnë familjes së tij, biznesi i së cilës vetëm ngjitet, por edhe partisë që la si trashëgimi, ndjekësit, simpatizantët e natyrisht miq e të njohur.

Kjo trashëgimi është një plus që mban në krye Giorgia Melonin që theu rekordin e kryeministres më jetëgjatë të Italisë.

Po të kthehemi tek ne; e majta amerikane mendoi se për të sulmuar Trump, një ngjarje e bujshme kundër dhëndrit të tij, të cilin Presidenti i SHBA e dërgon kudo ku ka kriza apo çështje super të rëndësishme për të zgjidhur.

Dhe zgjodhën Shqipërinë, Zvërnecin, për ta përdorur si një lagunë krimi, korrupsioni, aerash dirty që mbushën mediat e gjithë botës.

Për katër muaj Jared Kushner, u gozhdua nga ajo që Donald Trump e quan “fake news media”, alias media e madhe amerikane dhe europiane e lidhur ngushtë me liberalët, demokratët dhe të majtën.

Kushner nuk foli fare, duke lënë në suspancë të gjithë sheshin e flamingove e rritur hamendësimet se ai e ka lënë projektin e nisur në Shqipëri me aq bujë.

Ai foli mbrëmë, me anë të një qëndrimi ku shpjegonte në mënyrë shteruese të gjithë investimin në Zvërnec, kush janë bashkëpunëtorët, çështja e pronës, investimi, partnerët shqiptarë dhe drejtuesit e kompanisë. Edi Rama në fakt nuk ka fare nevojë të bëjë një material tjetër për pasqyrën e flamingove; e ka hartuar Jared Kushner në mënyrë shteruese.

Po përse foli sot? Kjo në fakt është një mesele tjetër, e meriton rëndësinë e tij. Çdo investitor me logjikë kërkon të shikojë sa i vendosur dhe i fortë është interlekutori që ka përballë. Mbrëmë duket mori miratimin nga Parlamenti i Shqipërisë. Pasi realisht çdo gjë që ndodh është politikë…

TemA