Theodhora, një grua mbi të 70, me dy qese të tejmbushura në supermarketin e rrugës kryesore në Dhërmi dhe me një bastun të dyshimtë për ti siguruar mbështetje, po tentonte te merrte kalldrëmin e parë që të çon për tek Kisha e Shënmërisë në qendër të fshatit. E veshur në të zeza si gjithë plakat e Dhërmiut dhe me nofulla të shtrënguara, herë nga pafuqia dhe herë nga mërmëritjet me veten, po shtyhej përpara nga asfalti për kalldrëm. Ju afrova ta ndihmoja për çantat. Zakoni im i vjetër në çdo fshat të panjohur ku shkoj, është miqësia me pleq dhe shoqëria me ta. Më pa një herë me dyshim, dhe nuk i lëshoi çantat nga dora duke më thënë thatë “faleminderit”. -Mi jep i thashë, nuk i mban dot, mos bë kot. Kam kohë boll të shoqëroj unë. I lëshoi në dorën time gjysëm e dyzuar. -Ku e ke shtëpinë,- i thashë. -La tek Shën Dhimitri. -Shumë mirë aty do vij dhe unë. -Çdo aty? -Kam një shok ka blerë një shtëpi e dua ta shikoj. -Aha, po po. Mirë. E pash që ndjeu një lloj bezdie nga objekti i vizitës. Pasi më tregoi se kish qenë mësuese në Vlorë , kishte tre fëmijë, jetonte në Greqi, fëmijët i kishin ikur nga Greqia në Kanada dhe Angli, etj., halle të vogla, u rikthye prap tek fshati. -Ja vij behareve tha. Skam as pension nga greku. Këtë pensionin e Shqipërisë kam. Ty nga Tirana të kemi? Jo jo,- i thashë. Jam këtej nga Jugu. Një fshat aty mes Përmetit e Tepelenës në fund të Zagories. Po fshati juaj është bërë i bukur, -i thashë, në përpjekje për tia hequr bezdinë e të qënurit nga Tirana. -Nuk foli. Mu duk sikur nuk dëgjoi ndërkohë që ndiqja ritmin e saj të ecjes rrugicës që të çon tek Shënmëria, një shesh që të mahnit në mes të rrugës nga mënyra se si është rregulluar.
Rugës shikojmë një shtëpi të hapur për turistë. Ishin disa djem të rinj që flisnin anglisht. -Eshtë rregulluar fshati,- i thashë prapë. Ja keni turistë tani. -Eh nuk është yni ky,- tha. Eshtë nga ata. -Kush nuk është juaji? -Nuk foli. -E kujt është kjo shtëpia këmbngula?-Eh, ja ata që i kanë blerë të gjitha. Vazhduam në heshtje. Unë me dy torba plastike në dorë që peshonin rreth 6 kg, dhe nënë Theodhora, mbështetur me shkopin e saj të shkatërruar që nuk di me çfarë guximi ishte nisur me ato dy qese në duar në atë malore. -Ç’punë bën ky shoku jot më tha. Kështu biznesmen është? -Jo jo gazetar, i thashë. -A po tha. E di e di. E ka më lart ai. -E ke parë i thashë? Jo jo nuk e njoh. Po e di.
Në gjithë bisedën me Nënë Theodhorën, kur flisje për “ata” që kishin ardhur të rinj në fshat, kishte një hije misteri sikur fliste për për dikë që nuk kishte siguri të fliste. U pa qartë tek shtëpia që sa kaluam që priste turistë. Më vonë mora vesh që ishte e një biznesmeni nga Tirana. Ai kishte blerë dy shtëpi. Njërën e jepte me qira, njërën e përdorte për vete. Një tjetër shok i tij kishte blerë një më të madhe dhe po rregullonte rreth 20 dhoma. -Ua ka rregulluar fshatin qeveria,- i thashë. Eshtë bërë më i bukur…Plasa të fliste për këtë gjë. -E kanë rregulluar për vete më tha ftohtë dhe prerë. Të gjitha këta që shikon i kanë blerë nga një njeri, jo nga fshati Fshatit ja morën për dy lekë. -Po mirë çrëndësi ka, po është bërë më i bukur. Shiko sa të huaj ka i thashë?
Nuk foli prap. -Ti çpunë bën, më tha mua. Se fytyrë e parë më dukesh. Tani bëra unë sikur nuk dëgjova. E kuptoi dhe ndryshoi bisedë. -Ky Edi Rama na e ka rritur pensionin tha. E kishim 150 mijë lek, ta,i e kam 189 mij lek. Nuk e dija a po tallej a e kishte seriozisht. Me sa duket donte të më thotë në gjë pozitive për qeverinë, mendova ngaqë po këmbngulja që ishte rregulluar fshati. -Dhe fshatin e ka rregulluar përsërita unë, për ta provokuar. -Eu fshatin e morën,- tha.
Ndërkohë përballë nesh, pra përball meje dhe Nënë Theodhorës shfaqet Edi Rama me disa biznesmenë e gazetarë që me sa duket ishin duke pirë kafe në fshat. -Ja ku e ke Edi Ramën, i thashë. Thuaja…Nënë Theodhora nuk foli Tundi kokën e përshëndeti dhe priti sa kaloi. -Pse si fole,- i thashë. -Ishte me ata më tha. Po ti rrofsh me djalë se arrita. Ata ishin “pushtuesit”, që ajo nuk donte ti pranonte edhe pse fshatin ja kishin bërë më të mirë. Donte me deomos të ndërronte bisedë por dhe të thoshte diçka. Ishte diçka brenda saj që dukej se nuk e gëzonte dot, edhe pse fshati ishte bërë aq i bukur. Ktheu dhe një herë kokën pas, poshtë kalldrëmit ku zhdukej silueta e kryeministrit dhe njerëzve që e shoqëronin që të sigurohej që ikën. -E kemi djalin tonë atë tha, nuk jam fare unë e di kush është. Po fshati duhet parë nga brenda….Heshti një moment. Donte të më ftonte brenda por i thashë faleminderit. -Rofsh mo djalë. Ja aty lart e ka ai shoku jot. Dy shtëpi më sipër dhe uli sytë sikur kish frikë të shikonte ndonjë cep të shtëpisë që kërkoja.