Banka analizon se aktiviteti ekonomik pritet të rikuperohet gradualisht gjatë viteve në vijim dhe inflacioni të kthehet në objektiv brenda vitit 2022. Rritja ekonomike pritet të mbështetet nga stimujt fiskalë dhe monetarë të ofruar, nga reduktimi i pasigurisë, nga rindërtimi i objekteve të dëmtuara nga tërmeti dhe nga rifillimi i aktivitetit ekonomik global.

Banka e Shqipërisë në raportin e Politikë s Monetare për 3-mujorin e tretë të viti, parashikon se lehtësimi i masave për kufizimin e përhapjes së pandemisë do t’i hapë rrugë rimëkëmbjes së ekonomisë, ndonëse rritja ekonomike pritet të vijojë të mbetet në territor negativ edhe në dy tremujorët e fundit të vitit.

Sipas BSH-së, ekonomia shqiptare është tkurrur në muajt e parë të vitit, e goditur nga tërmeti në fund të vitit 2019 dhe përhapja e pandemisë në muajin mars. Pas rënies me 0.1% në fund të vitit të shkuar, prodhimi i brendshëm bruto ra me 2.5% në tremujorin e parë të vitit 2020.

Shkalla e papunësisë u rrit lehtë nga 11.2% në fund të vitit të shkuar, në 11.4% në tremujorin e parë. Treguesit e disponuar ekonomikë gjatë muajve mars e prill kanë shënuar rënie të paprecedentë, duke ilustruar efektet negative të kësaj krize në ekonominë tonë.

“Ndonëse disa prej këtyre treguesve janë stabilizuar me lehtësimin gradual të masave të distancimit social, përmirësimi ka qenë i vakët në krahasim me shpejtësinë e rënies së tyre gjatë muajve të mëparshëm. inflacioni ka ardhur në rritje në tremujorin e dytë”- thekson BSH-ja.