Barcelona ka bërë të ditur se nga testet e fundit të bëra për Covid-19, një lojtar ka rezultuar pozitiv. Megjithatë, ai nuk është në mesin e skuadrës që është zgjedhur për të luajtur në Ligën e Kampionëve.

Emri i lojtarit të infektuar nuk është zbuluar nga Barcelona, megjithatë dihet se ai është njëri nga nëntë lojtarët që pritej t’i nisnin stërvitjet parasezonal të mërkurën, transmeton Gazeta Express.

Kjo do të thotë që lojtari i infektuar të jetë njëri nga Pedri, Trincão, Matheus Fernandes, Todibo, Wagué, Aleñá, Rafinha, Miranda dhe Oriol Busquets.

“Lojtari nuk ka simptoma, është në gjendje të mirë shëndetësore dhe ka qenë duke u izoluar në shtëpi”, thuhet në njoftimin e Barcelonës.

Klubi e ka raportuar rastin te autoritetet relevante sportive dhe shëndetësore, ndërsa të gjithë personat që kanë pasur kontakt me lojtarin janë identifikuar dhe do të testohen për Covid-19.

Lajmi i mirë për tifozët e Barcelonës është se i infektuari nuk ka pasur kontakt me asnjërin pjesëtar të ekipit të parë që ka udhëtuar në Lisbonë të Portugalisë për ndeshjet e Ligës së Kampionëve.