Setien po jep shumë indikacione mbi formacionin startues ndaj Napolit, në kthimin e 1/8 finale të Champions-it. Që nga fundi i La Liga-s, trajneri kantabrian është përqendruar në ndeshjen deçizive me italianët, me qëllimin për të arritur një fitore “të rëndë”, që e mbush grupin me besim për më tej. Për ta bërë këtë, gjatë seancave stërvitore, Quique Setién po teston ide të ndryshme, që janë në mendjen e tij dhe dëshironte t’i provonte ato në terren. Një prej tyre është sistemi i lojës, me të cilin ai do të fillojë në “Camp Nou”. Setién po teston modulin 3-5-2. Do të ishte një risi e shkëlqyeshme, pasi katalanasit vijnë nga përdorimi tashmë i skemave 4-3-3 dhe 4-3-1-2, që dhanë një rezultat kaq të mirë në ndeshjen kundër Villarreal.
Ndryshimi dhe kalimi te tri qendra në mbrojtje na kujton ndeshjet e para të Setien si trajner i Barçës, ku ai fitoi minimalisht në Granada dhe Ibiza, pastaj humbi në Valencia. Sipas asaj që është punuar në stërvitje, linja qendrore do të formohej nga Lenglet në të majtë, Piqué në qendër dhe Semedo në të djathtë. Këta të tre do të shoqëroheshin në korsi nga Sergi Roberto dhe Jordi Alba. Duhet mbajtur mend se Lenglet vjen nga tejkalimi i disa shqetësimeve muskulore dhe mund të mos jetë 100 për qind. Me këtë skemë, trajneri i Barçës do të kërkonte të mbronte veten, për të shmangur tranzicionet ofensive të Napolit.
Në qendër të fushës do të ishin De Jong, Rakitic dhe Riqui Puig. Mungesat e Sergio Busquets dhe Arturo Vidal, plus largimi i Arthur, e kufizojnë Setién në përzgjedhjet e mesfushës. Ai pritet të vërë bast për tre lojtarë, që do t’i jepnin dinamizëm me topin dhe sakrificë në detyrat mbrojtëse, elementë kyç kundër një kundërshtari aspak të lehtë. Mbi ta, dyshja e sulmuesve do të formohej nga Leo Messi dhe Luis Suárez. Argjentinasi dhe uruguajiani do të lëviznin nëpër qendër me liri të plotë, në mënyrë që mbrojtësit e Napolit të mos kishin pika referimi fikse. Griezmann, i cili vjen pas një dëmtim, do të sakrifikohej.