Bashkimi Europian pranoi vendosjen e sanksioneve për 20 zyrtarë bjellorusë të dyshuar për mashtrim zgjedhor dhe për shtypje të manifestuesve dhe ka të ngjarë të përfshijë në një moment të caktuar edhe presidentin Alexander Loukachenko në këtë listë, deklaruan ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së gjatë një takimi në Berlin. Në Vjenë, Organizata pë Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, propozoi të shërbente si ndërmjetësues mes dy palëve në Bjellorusi, me drejtues Edi Rama duke u angazhuar të mos ndërhynte në çështjet e brendshme, por duke nënvizuar në të njëjtën kohë që shkelja e të drejtave të njeriut duhet të ndërpritet. Presidenti autoritar bjellorus është përballur që prej disa javësh me protesta që prej rizgjedhjes së tij për një mandat të gjashtë më 9 gusht me 80% të votave.

Opozita konfirmon se zgjedhjet janë manipuluar dhe BE, ndër të tjera, kundërshton rezultatet. Gjatë katër ditëve të para të manifestimeve që po vazhdojnë, forcat e sigurisë bjelloruse kanë arrestuar rreth 7 000 persona dhe kanë plagosur qindrea të tjerë me plumba gome dhe granada. Të paktën tre manifestues kanë humbur jetën. Rreth 180 persona janë arrestuar gjatë manifestimeve të djeshme. “Ne kemi marrëveshje të përgjithshme se si do të strukturohet lista dhe kush do të bëjë pjesë pak a shumë në këtë listë”, theksoi për gazetarët ministri i Jashtëm i Republikës Çeke Tomas Petricek. I pyetur nëse presidenti i Bjellorusisë do të goditet nga një ndalim udhëtimi dhe ngrirje e pasurive, Petricek theksoi se besonte që Lukashenko do të bënte pjesë në këtë listë.

Ministri lituanez i Punëve të Jashtme, Linas Linkevicius theksoi se Lukashenko duhet të jetë në këtë listë tashmë, por ai pranoi se mund të ketë “arsye taktike” për të penguar drejtuesin bjellorus. Lituania kishte paraqitur listën e saj të 118 zyrtarëve. Disa vende preferojnë një qasje graduale që do të rrisë presionin duke shtuar më shumë emra në mënyrë progresive nëse Lukashenko nuk arrin të hyjë në bisedime me opozitën. Presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi dje se ishte i gatshëm të dërgonte policinë në Bjellorusi nëse protestat atje kthehen të dhunshme, por nuk sheh ende një nevojë të tillë. Kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi se ajo kishte theksuar rëndësinë e sovranitetit të Bjellorusisë në një telefonatë të fundit me Putin.

“Shpresoj që një njësi e tillë të mos vendoset”, theksoi ajo për gazetarët në Berlin.
Merkel theksoi se ishte përpjekur gjithashtu të zhvillonte një bisedë telefonike me Lukashenkon, por ai kishte refuzuar të fliste me të deri tani. BE ka mbështetur propozimet e OSBE-së për të promovuar dialogun në Bjellorusi, një prej 57 vendeve anëtare të organizatës dhe deklaroi se do të ishte e gatshme për të dhënë një asistencë për t’i çuar më tej ato. Në një takim të veçantë për situatën në Bjellorusi në Vjenë, kryeministri shqiptar Edi Rama, prezantoi argumentet në mbështetje të organizatës për të ndihmuar në lehtësimin e bisedimeve mes Lukashenkos dhe opozitës.

“Që vendi të ecë përpara në siguri të plotë dhe sa më i sigurt të jetë e mundur duhet një mirëkuptim i përbashkët dhe një bashkëpunim reciprok brenda Bjellorusisë”, theksoi Rama. “Dhe roli ynë duhet të jetë të ndihmojmë në realizimin e kësaj”, shtoi ai. Ai nënvizoi se nëse dëshirojmë të luajmë një rol konstruktiv, nuk është për ne që të marrim pjesë dhe se OSBE-ja të mund të japë këshila të paanshme për të tretët. Por në të njëjtën kohë, ai vuri në dukje kufizimet për gazetarët si dhe plagosjet dhe humbjen e jetëve të manifestuesve gjatë shtypjes qeveritare duke konfirmuar se imazhi është pak të thuash i tmerrshëm.

“Bjellorusia është këtu, me ne, si një mik, por miqtë duhet t’i kujtojnë njëri-tjetrit të vërtetat e rëndësishme, dhe autoritetet në Minsk duhet ta dëgjojnë këtë”, theksoi ai. “OSBE-ja është themeluar mbi parimet që përfshijnë respektimin e plotë të demokracisë dhe të drejtave të njeriut”, theksoi ai.