SHBA do të ndihmojë Libanin pas shpërthimeve në Bejrut, deklaroi presidenti amerikan, Donald Trump gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë.
“Ne do t’i ofrojmë mbështetjen tonë Libanit”, deklaroi edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel duke iu referuar shpërthimeve të djeshme në Bejrut.
“Mendimet tona shkojnë për ata që kanë humbur të afërmit e tyre. Ne u dëshirojmë të plagosurve një shërim të shpejtë”, shtoi kancelarja.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, zhvilloi bisedë telefonike me homologun libanez Michel Aoun pas shpërthimit në Bejrut.
Erdogan ka shprehur ngushëllime për jetët e humbura, duke uruar gjithashtu shërim të shpejtë për të plagosurit.
Ai gjithashtu është shprehur se Turqia qëndron pranë Libanit dhe se është e gatshme të ofrojë ndihmë humanitare në të gjitha sferat, duke filluar nga ndihma në sektorin e shëndetësisë.
Izraeli do të kontaktojë të dërguarin e OKB për Lindjen e Mesme, Nikolai Mladenov për të zbuluar se si mund të ndihmojë më tej Libanin pas shpërthimit shkatërrues në Bejrut.
Ministrat e Jashtëm dhe Mbrojtës të Izraelit, Gabi AShkenazi dhe Benny Gantz njoftuan se ata janë të gatshëm për të ofruar “ndihma humanitare dhe mjekësore dhe ndihmë të menjëhershme emergjente” për Libanin, edhe pse ky i fundit ka refuzuar ndihmën izraelite.
Dy vendet nuk kanë marrëdhënie diplomatike.
Holanda po dërgon një ekip ekspertësh në kryeqytetin libanez për të mbështetur përpjekjet e shpëtimit pas shpërthimeve masive.
”Një ekip prej 70 ndihmësish, përfshirë mjekë, zjarrfikës dhe polici të specializuar për shpëtimin e njerëzve të varrosur nën rrënoja, do të shkojnë sot në Bejrut”, tha ministrja holandeze e Tregtisë, Sigrid Kaag në një intervistë në radio.
“Holanda është e specializuar në kërkimin e të mbijetuarve dhe viktimave nën rrënoja”, tha ajo.
Edhe Belgjika ka ofruar të dërgojë ndihma për Libanin.
“Ngushëllimet tona u shkojnë të gjithë viktimave dhe të dashurve të tyre në këto momente vuajtjesh”, tha kryeministrja belge, Wilmes në Twitter.
Rusia njoftoi sot se po dërgonte pesë aeroplanë që transportonin mjekë, specialistë të kërkimit dhe shpëtimit, furnizime për të ngritur një spital fushor dhe ndihma të tjera në Bejrut për të ndihmuar në përballimin e pasojave të një shpërthimi që vrau të paktën 100 persona.
”Pajisjet përfshijnë edhe një strukturë për testimin e koronavirusit”, njoftoi Ministria ruse e Situatave të Emergjencës në një deklaratë.
”Numri i të vdekurve nga shpërthimet e së martës në portin e Bejrutit është rritur në mbi 100”, tha sot Kryqi i Kuq i Libanit.
”Rreth 4 000 persona janë plagosur, shumë vuajnë nga plagë të moderuara dhe serioze”, shtoi ai.
Sekretari i Përgjithshëm i Kryqit të Kuq Libanez, George Kettneh tha se numri i vdekjeve ka gjasa të rritet.