Bujtina Tomadhe në Shëngjergj, rreth 40 km në lindje të Tiranës, është kthyer në një destinacion që ia vlen të vizitohet gjatë fundjavës. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, publikoi sot pamje nga kjo kantinë ndërsa ftoi qytetarët ta vizitojnë atë. Albina Çuko, e ktheu shtëpinë e saj në një pikë agroturizmi, pasi aplikoi në vitin 2018 për subvencionim në skemën kombëtare në bujqësi.

“Në bujtinën Tomadhe në Shën Gjergj me një pamje piktoreske, të mrekullueshme dhe një natyrë e ajër të pastër. Unë jam e dashuruar me këtë bujtinë ku zhvilloj turizmin tim dhe të gjitha ushqimet që unë gatuaj janë ushqime të zonës djathi, gjalpi, qumështi lëngu i frutave, reçelrat janë prodhime të zonës. Të gjithë ikin të lumturuar dhe thonë është qershia mbi tortë”, – theksoi Çuko.

Bujtina Tomadhe është një përzierje e arkitekturës klasike dhe moderne. Të gjitha vilat janë të ndërtuara me gurë dhe dru. Salla e pritjes ka një oxhak modern dhe një pamje të mrekullueshme. Tomadhe është e rrethuar nga natyra, ujëvara e Shëngjergjit dhe liqeni i Lepurit i cili është vetëm 30 minuta larg, një shpellë e cila është e lehtë për t’u eksploruar dhe një liqen gjithashtu.

Shëngjergji, dukej si një vend shumë larg nga Tirana, por sot është kaq afër. Nga njëra anë lumi e nga ana tjetër natyra malore e bëjnë një zonë tërheqëse për t’u vizituar. Mendohet se në shekujt XII-XIV quhej “Tomadhe” ose “Tame Dea” – Perëndeshë e Burimeve Ujore”. Pas vitit 1600, mori emrin “Shëngjergji”. Këtu mund të vizitoni ujëvarën e Shëngjergjit, rrënojat e kështjellës së Shëngjergjit, kalaja e Shëngjergjit, Shpellën e Valit, vendi i shenjtë dhe varri i vjetër si dhe Mali i Gropa.