Deputeti Ervin Bushati u shpreh se Partia Socialiste u përpoq të akomodonte të gjitha fraksionet opozitare me marrëveshjen e arritur në Këshillin Politik. Deputeti socialisti u shpreh se në botë opozitat jashtëparlamentare janë forca të vogla të cilat kanë veç opinione dhe jo votë, por Partia Socialiste u përpoq të akomodonte dhe kërkesat e PD-së në marrëveshjen e arritur.
“Ne po përpiqemi të akomodojmë çdo pjesë të opozitës, pasi opozita sot ka shumë fraksione dhe shumë dimensione. Ne na duhen votat për ta bërë këtë pasi nuk mund ta bëjmë në mënyrë të njëanshme dhe ato vota i ka opozita që ndodhet në parlament.
Këto terma opozita jashtëparlamentare dhe parlamentare në vende të tjera të botës nuk do të diskutoheshin, pasi një opozitë jashtëparlamentare është një forcë e vogël e cila mund të ketë opinione të tjera por s’ka votë, në botë njihen vetëm ato që kanë votë. Pas gabimit të pafalshëm që bëri opozita dhe dogji mandatet ne po përpiqemi t’i akomodojmë të gjitha palët. Ne kemi miratuar marrëveshjen me opozitën jashtëparlamentare dhe opozitën parlamentare. Nuk e di çfarë metode ekstraligjore ose magjike do të gjente opozita për t’i bërë ndryshimet, bën mirë që opozita jashtëparlamentare të bie dakort me atë parlamentare” tha Bushati.