Qyteti antik i Butrintit, 20 km larg Sarandës vijon të mahnisë me bukuritë dhe qetësinë që të ofron parku kombëtar mijëra turistë vendas e të huaj. I konsideruar si një nga destinacionet që vizitohet nga adhurues të historisë së lashtë, ky park ofron një numër të konsiderueshëm vendesh arkeologjike dhe konsiderohet si një “mikrobotë e historisë shqiptare”.
Dorina Dhima, specialiste e turizmit në Parkun Kombëtar të Butrint, tha për ATSH-në se “qyteti Antik i Butrintit dhe muzeu i tij arkeologjik për periudhën 7-mujore janar – korrik u vizitua në total nga 11,484 vizitorë, 3565 prej të cilëve ishin të huaj”. “Shifrat për muajin gusht paraqiten më pozitive, nga fillimi i tij e deri më sot kanë vizituar Parkun e Butrintit afërsisht 10,000 vizitorë. Mendojmë se turistët deri në mbyllje të muajit gusht do të tejkalojnë 7-mujorin e vitit 2020”, – thekson Dhima.
Sipas saj, jemi shumë larg numrit të vizitorëve dhe të ardhurave nga shitja e biletave krahasuar me vitin e shkuar, sërish, në kushtet e pandemisë globale është vënë re një rritje progresive nga muaji në muaj qysh prej rihapjes së sitit në 18 maj 2020. “Kryesisht Butrinti është vizituar nga vizitorë vendas. Për këtë sezon Ministria e Kulturës u ka ofruar një tarifë më të ulët hyrjeje si dhe çdo ditë të diel falas. Nga totali i vizitorëve 4376 kanë hyrë pa biletë gjatë këtyre të dielave deri në muajin korrik”, – tha Dhima.
Arkeologjia e këtij qyteti antik, evidenton trashëgiminë që kanë lënë kultura të ndryshme në të kaluarën: grekët, romakët, bizantinët, venedikasit, turqit, francezët dhe osmanët, të cilët panë te Butrinti një zonë strategjike për të zgjeruar influencën e tyre. Mbretër, pushtues, princër, mendimtarë, arkeologë dhe historianë kanë gjetur në rrënojat e qytetit një simetri të historisë së njerëzimit. Një trashëgimi e njerëzimit, ky është Butrinti. Madhështia e këtij vendi kishte mbetur e fshehur deri në vitin 1927.
Zbulimet e para arkeologjike filluan me Misionin Arkeologjik Italian. Kjo sipërmarrje filloi gërmimet në atë që do të ishte një prej qyteteve më antike të Shqipërisë. Punimet filluan në vitin 1928. Ndonëse punimet arkeologjike asnjëherë nuk kanë përfunduar, mendohet se ajo që shohim sot mund të jetë me shumë mundësi vetëm një e pesta e asaj që ndodhet nëntokë.
Butrinti sot është një kompleks arkitektonik me 15 zona të periudhave të ndryshme, nga shekulli IV para Krishtit deri në shekullin XVI pas Krishtit. Rëndësia historike e Butrintit është e jashtëzakonshme dhe të jesh në gjendje që të ecësh është një privilegj: statuja me gurë të bardhë nga epoka e August Oktavianit, Agripas, Antiohs, Serapisit, Livia Drusilas ngriheshin dikur këtu, si dhe vendi i lindjes së shumë qytetarëve të shquar në kohë të ndryshme apo gjeneralëve romakë gjatë epokës së ndritur të perandorisë kur qyteti quhej “Colonia Augusta Buthrotum” (Kolonia Augustiane Butrinti). Përveç shkëlqimit të tij historik, Butrinti është një parajsë për 800 lloje bimësh, 246 lloje zogjsh, 105 lloje peshqish dhe 39 lloje gjitarësh.