Gent Cakaj, ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, ka zhvilluar sot një bisedë me politikanët shqiptarë në Mal të Zi, pasi në këtë vend të dielën do të zhvillohen zgjedhjet. Cakaj me anë të një postimi zbulon se u ka thënë atyre se kanë mbështetjen e udhëheqësve të Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa u bën thirrje të gjithë shqiptarëve në Mal të Zi të mbështesin Listën Shqiptare.
“Kjo listë gëzon mbështetjen publike të Presidentit të Kosovës, z. Hashim Thaçi, Kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama, Ministres së Jashtme të Kosovës, znj. Meliza Haradinaj-Stublla, mes tjerash. Pra, pas suksesit të përbashkët në Luginën e Preshevës ku mbështetja e Kosovës dhe e Shqipërisë i ka dhënë rezultatet e veta, jemi bërë bashkë për ta mbështetur Listën Shqiptare në Mal të Zi”, – shprehet Cakaj.
Më tej, Cakaj thotë se përçarësit e mëdhenj që sot akuzojnë për përçarje kanë punuar me shumë zell për t’i ndarë shqiptarët në shumë parti dhe për të pamundësuar formimin e një liste të vetme, për interesa krejtësisht personale dhe në shërbim të planeve të huaja. Këtu megjithatë më mbetet për të treguar shumë më shumë në ndërkohë. Ministri thekson se rëndësi madhore ka vetëm e vetëm mbështetja e Listës Shqiptare.
“Prandaj, ne ju bëjmë thirrje gjithë vëllezërve e motrave tona në Mal të Zi të dalin masivisht në zgjedhje për të votuar Listën Shqiptare. Ajo është adresa e duhur me njerëz të dëshmuar moralisht dhe intelektualisht për të rritur cilësinë e përfaqësimit të shqiptarëve dhe ruajtur drejtimin euroatlantik të Malit të Zi,”- shkruan Cakaj.