Nga Nertila Doko/
Këtë vit operatorët turistikë dhe hotelet bregdetare po përballen me krizën e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, ndërkohë që turistët vazhdojnë të anulojnë rezervimet e tyre. E ndërsa bregdeti “pret” pushuesit vendas dhe të huaj, këta të fundit duket se për një kohë të gjatë nuk do mund ta shijojnë dotë. Kjo situatë ka sjellë anulime dhe më pak të ardhura për sektorin . Sipas operatorëve turistikë, pavarsisht faktit se pushuesit vendas dhe nga trojet shqiptare, vijojnë të frekuentojnë bregdetin tonë, ata nuk mund ta zevendësojnë turizmin e huaj .
Për ‘Scan Magazine’ operatorët turistikë, Besnik Vathi dhe Zak Topuzi shprehin shqetësimin e tyre lidhur me pritshmëritë gjatë këtij sezoni sipas të cilëve nuk duken shumë premtuese për sektorin, duke bërë apel për më shumë stimulim përmes investimeve nga ana e qeverisë, për të mos lejuar falimentin e tyre.
Shqipërisë i mungojnë 71,5 % e turistëve të huaj këtë vit!
Hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin Qershor 2020, janë 364.574. Krahasuar me Qershor 2019, ky tregues rezulton me rënie 66,3 %. Në Qershor 2020, hyrjet e shtetasve të huaj në vend janë 179.594. Krahasuar me Qershor 2019, ky numër ka rënë me 71,5 %.
Referuar të dhënave të publikuara nga INSTAT, nmri i shtetasve të huaj të hyrë në vendin tonë përgjatë gjashtë mujorit të parë 2020 është 781.894, duke rënë me 63,4 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019.
Përgjatë gjashtë mujorit të parë 2020, Kosova ka rënien më të ulët të hyrjeve të shtetasve në Shqipëri me 51,0 %, ndërsa rënien më të madhe e ka pasur Polonia me 95,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Sa shqiptarë dolën jashtë Shqipërisë
Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga vendi, gjatë muajit Qershor 2020 janë 385.199 duke shënuar një rënie me 65,1 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Qershor 2020 janë 240.949. Krahasuar me Qershor 2019, ky numër ka rënë 47,6 %. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Qershor 2020 janë 144.250. Krahasuar me Qershor 2019, ky numër ka rënë 77,6 %.
Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i vendit tonë përgjatë gjashtë mujorit të parë 2020, është 1.380.308 duke rënë 48,0 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Për ‘Scan Magazine’ flet Operatori Turistik Besnik Vathi.
Zoti Vathi jemi në pikun e sezonit turistik çfarë po ndodh me prenotimet?
Industria e udhëtimeve?! Me udhëtime të ndërprera me kufij të mbyllur me shtrëngime sa i takon hoteleve dhe restoranteve…Pra situata është më e rënda në të gjithë historinë dhe në gjithë eksperiencën time. Nuk e di si do shkojë por prenotimet janë shumë të ulëta , mundësia e udhëtimeve është e kufizuar vetëm për disa vende, kufizime për shtetasit të cilëve u lejohet që të udhëtojnë drejt Shqipërisë dhe për shtetasit shqiptarë që duan të lëvizin jashtë vendit .
A ka pasur anulime të prenotimeve?
Që në mbyllje, pra në muajin mars prenotimet për sezonin e verës u ndërprenë dhe ato rezervime që janë bërë përpara muajit mars, në pjesën më të madhe janë anuluar dhe ne shohim sot që dhe ato vende që dërgojnë fluturime drejt Shqipërisë, jo me avion të mbushur plot, por me 40% të vendeve bosh .
Shqipëria pret dhe fluturime ‘skedul’, pra të skeduluara, turistë të cilët për shkak të ndërprerjes së fluturimeve e kanë të pamundur që të vijnë drejt Shqipërisë, nuk fluturojnë më shumë kompani dhe kjo ndërprerje ka sjellë dhe një numër të ulët të turistëve. Emigrantët shqiptarë të cilët kanë ikur nga Shqipëria gjatë 30 viteve të fundit, është një grup i veçantë për ne, pra për turizmin, të cilët vijnë zakonisht në korrik-gusht. Ky grup e ka të pamundur të vijë këtë verë jo vetëm për ndërprejen e fluturimeve por edhe për shkak të karantinës dy javore e cila i penalizon ata duke i humbur edhe vendet e punës në shtetet ku ata jetojnë dhe punojnë .
Cilat janë kompanitë më të goditura gjatë kohës së pandemisë? Ato që transportojnë turistët vendas drejt destinacioneve të huaja apo e kundërta ?
Të gjitha bizneset e turizmit janë goditur , sepse mbyllja është për të dyja palët dhe ata që ikin jashtë por edhe për ata që vijnë në Shqipëri nga jashtë . Madje janë goditur shumë agjenci që presin vetëm bileta, tashmë nuk kanë më c’të presin. I vetmi që po mbijeton është turizmi i brendshëm i cili nuk është viti i parë që po bëhet, por në fakt numri dhe struktura e tij e ka të pamundur që të mbulojë nevojat e sektorit në Shqipëri.
Turistët vendas që i kanë anuluar pushimet jashtë vendit a e kompesojnë dotë atë të huajin ?
Turizmi i shqiptarëve brenda vendi e ka të pamunduar për disa arsye, e para kanë kohëzgjatje shumë të vogël , vetëm një muaj ndërkohë që të huajt pushojnë rreth 120 ditë . Veç kësaj standarti i shqiptarëve është shumë herë më i ulët krahasuar me pushuesit e huaj gjithashtu edhe frika për një rikthim të pandemisë dhe karantinës duke i shtyrë ata të ruajnë kursimet e tyre për një periudhë më të vështirë.
Kreu i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit në vendin tonë
Zak Topuzi: Çfarë efekti sjell mos hapja e kufijve për sektorin turistik?
Akoma nuk ka një situatë të qartë të zhvillimit normal, përditë ka ndryshime. Në takimet e fundit Bashkimi Evropian është vënë në siklet për të interpretuar situatën e fundit të Covid -19 në Ballkan. BE ka vendosur të mbajë të mbyllura disa vende. Kjo e vështirëson situatën e turizmit sidomos të Shqipërisë.
Ditët e fundit, vendimi i Këshillit të Europës ishte për lënien jashtë të Shqipërisë , Kosovës dhe Bosnjes sa i takon lëvizjes së lirë të turistëve në Europë, kjo bënë që Shqipëria të kaloj në një pozicion ‘alert’. Duke u përfshirë në këtë lloj liste , kompanitë e sigurimit përfshihen në kosto suplementare dhe që këtu fillon problemi që turisti nuk është i siguruar dhe nuk është thjeshtë çështje që ti ke lënë kufrin hapur dhe ai mund të vijë, të gjitha këto na fusin në një situatë të vështirë etj. Përveç turizmit të brendshëm dhe të Kosovës nuk ka shpresë tjetër, flasim për një turizëm të shkurtër pasi në shtator pritet një tjetër valë pandemie edhe pse ende nuk ka informacion të qartë. Jemi në një pozicion ku janë anulluar të gjitha prenotimet, të bësh një prenotim tjetër duke paguar nëpërmjet sistemit të motorrëve të shitjes dhe të mos e kesh të sigurt është shumë e vështirë edhe për individët që duan të vijnë në Shqipëri.
Cilat janë hapat që duhet të ndërmarrë qeveria për të shmangur këto pasoja ?
Qeveria shqiptare duhet të marrë masa për të krijuar një lobim në mënyrë që Shqipëria me çdo kusht duhet të përfshihet në këtë hartë lëvizje , në të kundërt do të ketë një kolaps që do të përfshijë këtë industri e cila përbën rreth 26% të prodhimit të brendshëm bruto në vend.
Mendoni se në këtë rast do ketë zhvillim të turizmit vendas ?
Turizmi vendas do zhvillohet, por mos harro se Shqipëria është shumë pak banorë, të flasësh për fluksin 6 milion turistësh, është e pamundur ta zëvëndësojë. Sipas raporteve gati 64% e shqiptarëve nuk janë në gjendje të bëjnë pushime dhe kjo e vështirëson akoma më shumë këtë lloj turizmi. Kemi struktura hotelesh që po punojnë vetëm në fundjavë, ndërkohë që paguajmë taksa për të gjithë javën. Jemi duke diskutuar për masat që duhet të ndërmarrim për të shpëtuar nga ky lloj falimenti ndërkohë i gjithë rajoni ka marrë masa për ta mbështetur këtë lloj sektori i cili në pamundësi për të prodhuar të ardhura, është i detyruar të paguajë. Ndihma është e nevojshme duke mbuluar shpenzimet dhe taksat, energjinë , ujin etj pavarsisht se nuk ka pushues.
Sa e nevojshme është një paketë e tretë finaciare, dedikuar këtij sektori?
Ne kemi realizuar një paketë konkrete që i është përciellë kryeministrit. Qeveria fillimisht ka qënë e hapur por ka përfunduar në dy paketa që pothuajse nuk e kanë ndihmuar sektorin . Paketa e parë , pra paketa e pagës së luftës mbulon kredinë për paga nga Marsi deri në Maj ndërkohë që hotelet në këtë periudhë nuk kishin punonjës, pra i hoqën nga puna dhe kredia e dytë është për likuiditete, është një kredi e cila ka interesa shumë të larta ndërkohë që për arsye të situatës , pra të protokollit të Covid-19, por edhe të kushteve të cilat ndryshojnë çdo ditë kjo industri është e detyruar të punojë në kapacitete të ulta . Kjo gjë sjell mos krijimin e të ardhurave për të shlyer kredinë ekzistuese e jo për të vijuar më pas të marrë kredinë e dytë e cila është në terma më të larta sesa vetë kreditë që janë marrë vitet e fundit
A keni marrë pergjigje nga ana e qeverisë për rekomandimet?
Po ja kemi sugjeruar, këto nuk janë rekomandimet tona por të Këshillit të Organizatës Botërore të Turizmit dhe Këshillit të Evropës , e cila për hir të së vërtetës e ka ndihmuar shumë këtë lloj industrie gjatë kësaj periudhe të vështirë duke subvencionuar dhe duke i dhënë paketa ndihme, subvencionim pagash që nga korporatat e mëdhaja e deri te biznesi i vogël. Ne i kemi sugjeruar qeverisë sonë subvencionin si e vetmja mënyrë për të shpëtuar industrinë e cila në momentin që flasim është në kolaps total.
Nësë qeveria nuk jep ndihmën e nevojshme për ta shpëtuar industrinë, çfarë hapash do të ndiqni?
Nësë qeveria nuk do të marrë parasysh sugjerimet tona si bazë për të shpëtuar sektorin nga kjo gjendje kolapsi që po përjeton, atëherë ne do të kalojmë në protesta, pasi nuk ka asnjë lloj mundësie për të mbijetuar. Faktikisht pavarsisht se edhe Europa ka dhënë ndihma të konsiderueshme , gati 30% e kësaj industrie deri në këto momente ka falimentuar. Shumë sektorë siç është ai i fluturimeve, kanë marrë subvencione për të shpëtuar nga falimenti . Përfundimisht është një situatë e ngjashme gjithandej për të thënë të vërtetën po përdoren mënyra të ndryshme në botë për ta shpëtuar sektorin. Shteti italian ka dhënë grante nga 300 deri në 500 euro, për çdo individ për t’i shfrytëzuar brenda vendit , janë për të nxitur turizmin e brendshëm . Maqedonia e Veriut po ashtu ka dhënë grante për çdo individ që ka një pagë minimale nën 250 euro i ka dhënë deri në 150 euro për t’i shfrytëzuar brenda territorit për të investuar në turizmin e brendshëm. Këto masa ne ia kemi sugjeruar edhe qeverisë sonë për të shpëtuar këtë sektor . Po ashtu po të flasim edhe për Greqinë ajo e ka zeruar Tvsh-në e hoteleve dhe e ka përgjysmuar Tvsh-në e restoranteve deri sa të kalojë kjo fazë e cila sipas eksperteve pritet që të zgjas të paktën deri në tre vite .(SCAN)