Rikthehet pas 5 muajsh, por emocionet janë po aq të forta. Champions League riktheu edhe njëherë përpara sportdashësve futbollin e vërtetë dhe të luftuar.
Në fushë mbrëmjen e kësaj të premte zbritën Juventus përballë Lyon dhe Manchester City ndaj Real Madrid.
Bardhezinjtë treguan dhe njëherë se Champions League është kthyer në një makth dhe mision të pamundur për ta. Edhe pse fituan me rezultatin 2-1, italianë nuk mundën të kalojnë në fazën tjetër për shkak të rezultatit të ndeshjes së parë ku francezët kishin fituar minimalisht në shtëpi 1-0.
Francezët kaluan të parët në avantazh me një penallti të shndërruar në gol nga holandezi Depay, Juventus iu përgjigj në të njëjtën mënyrë me Cristiano Ronaldo. Në pjesën e dytë Zonja e Vjetër e shtoi presionin dhe u shpërblye me një supergol të CR7 nga jashtë zonës. Juventusit i duhej dhe një gol, por minutat kalonin dhe djemtë e Garcia ishin vendosur mirë në mbrojtje dhe nuk e lejuan këtë gjë. Një tjetër vit i dështuar në arenën europiane që duket se do të rrezikojë dhe stolin e Sarrit.
Në ndjeshjen tjetër City hyri më i qetë në fushën e lojës pas fitores që kishte marrë në Madrid. “Qytetarët” fituan dhe ndeshjen e dytë me rezultatin 2-1 dhe vijojnë të sigurt në raundin çerekfinal.