Klubi i Lionit mund të ankohet në UEFA për zgjedhjen e arbitrit të çerekfinales së sotme të Champions-it mes francezëve dhe Mançester Sitit. Gjyqtari holandez Dani Makelie është zgjedhur për të bërë drejtësi në Lisbonë, por ekzistojnë shqetësimet se 37- vjeçari mund të jetë i njëanshëm në gjykimin e tij.
Arsyeja? Një fitore e anglezëve do të kualifikonte automatikisht gjigantët e Ajaksit në fazën e grupeve të sezonit të ardhshëm të Ligës së Kampioneve. Por nëse Lioni kualifikohet në gjysmëfinale, atëherë Ajaksi do të luajë në “play off” për të siguruar një vend në grupet e Champions-it. Ajaksi është një nga dy skuadrat e vetme holandeze që mund të luajë në kompeticionin elitar të kontinentit sezonin e ardhshëm dhe përcaktimi i një arbitri holandez nga ana e UEFA-s shikohet si një konflikt interesi. Ish-arbitri holandez,
Dik Jol, tha për gazetën vendëse “De Telegraaf”: “UEFA nuk duhet ta kishte vendosur Dani Makelien në këtë pozicion. Kurrë! A mund t’i imagjinoni gazetat franceze? Ato do të protestojnë për këtë përpara se të shkelmohet topi i parë i ndeshjes. Financiarisht, por edhe sportivisht vendoset shumë nga kjo ndeshje. Nuk e ka fajin Makelie, sepse unë nuk e vë në dyshim për asnjë sekondë integritetin e tij. Ai ka një reputacion masiv në UEFA dhe po bën një karrierë të shkëlqyer. Por çfarë ndodh nëse ai akordon një penallti të vonë për Sitin? Nëse anglezët fitojnë, gishti do të drejtohet nga ai”.Makelie, i cili ishte një oficer policie përpara se të bëhej arbitër, ishte arbitër i VAR-it gjatë Botërorit 2018 në Rusi. Kjo nuk është hera e parë që një arbitër holandez insinuohet për anshmëri në një kompeticion europian. Xhon Blankenshtain ishte arbitri i vendosur për të gjykuar finalen e Champions-it 1994 mes Milanit dhe Barcelonës, e cila kishte holandezët Johan Krojf dhe Ronald Kuman në skuadër.
Italianët fituan 4-0, por vigjilja e ndeshjes u mbush me polemika për vendimin për të përcaktuar Blankenshtainin si gjyqtar. Milani ishte shumë i zemëruar për shkak të prezencës së Krojfit dhe Kumanit. Mendoj se edhe te Lioni do të ndihen njësoj”, shtoi Jol.