Condoleezza Rice, ka ushtruar detyrën e Sekretares amerikane të Shtetit në vitet 2005-2009, dhe ka qenë këshilltare e sigurisë kombëtare për presidentin Xhorxh W.Bush në vitet 2001-2005. Në këtë intervistë, Dr.Rice shpjegon rritjen e nativizmit, populizmit, izolacionizmit dhe proteksionizmit në mbarë botën, dhe ndikimin e tyre tek demokracia. Ajo flet gjithashtu mbi tensionin midis globalizmit dhe nacionalizmit; dhomat-jehonë në mediat sociale; dhe nevojën për një narrativë të përbashkët mbi demokracinë.

Në librin tuaj të vitit 2017 “Demokracia”, ju i cilësoni populizmin, nativizmin, izolacionizmin dhe proteksionizmin si “Katër Kalorësit e Apokalipsit”. Tre vjet më vonë, si ju duket se po përballen demokracitë me këta katër “kalorës”?

Jo mirë. Kriza e Covid-19, ka prirjen të forcojë disa nga tendencat drejt izolacionizmit. Shteti sovran cilësohet si “mbret” në reagimin ndaj pandemisë. Flitet për qytetarët, kufijtë, pajisjet e mia mbrojtëse. Organizatat ndërkombëtare, duket se thuajse janë anashkaluar gjatë kësaj periudhe.

Për aq sa unë kujtoj, prirja themelore drejt nativizmit, kujdesi për veten, duket se është më e fortë se sa në çdo kohë tjetër. Dhe kjo qasje kontraston shumë me reagimin ndaj sulmeve të 11 Shtatorit, apo edhe ndaj krizës financiare të vitit 2008, ku kishte një kuptim më të qartë që ato dukuri ishin “ngjitëse”, dhe se nuk mund të mbaheshin brenda disa kufijve. Do të na duhet shumë punë për të rindërtuar ndjenjën e bashkëpunimit ndërkombëtar, si një nga elementët e rëndësishëm për t’u përballur me këtë situatë të tmerrshme.

Në një vend më homogjen si Hungaria, populizmi është më shumë si një përballje e Hungarisë me botën. Këtu në SHBA, populizmi duket se mbështetet më tepër në ndarjet tona të brendshme, mes demokratëve dhe republikanëve, në ato racore, fe, fetare, midis amerikanëve të lindur këtu dhe emigrantëve. Si duhen menaxhuar këto tensione që populizmi ka sjellë në vendin tonë?

Ju keni shumë të drejtë. Reagimi i një vendi homogjen, është përmes një nacionalizmi të modës së vjetër:Kombi im kundër të tjerëve. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara, janë një krijesë e çuditshme. Të jesh amerikan, nuk ka lidhje me kombësinë, fenë apo përkatësinë etnike.

Ne e kemi origjinën nga andej prej nga erdhën etërit tanë, nga çdo cep i botës. E megjithatë kemi një diskutim të pakëndshëm mbi mënyrën se si e përkufizojmë “amerikanin”? Ne e ndajmë veten në grupime gjithnjë e më të vogla, secila me narrativën, ankesat dhe historinë e vet.

Dhe i gjithë debati është nëse ankesa apo narrativa ime është më e fortë se e jotja. I sakrifikuar është sensi i një narrative të përbashkët që nuk bazohet tek fisi, etnia apo kombësia jonë. Ajo bazohej në besimin se ti mund të vije nga një origjinë modeste, dhe sërish mund të bëje gjëra të mëdha, pavarësisht racës, përkatësisë etnike apo kombësisë.

Disa nga kundërshtarët tanë, sidomos Rusia, janë duke tentuar të shfrytëzojnë përçarjet tona. Ne e dimë që ata kanë investuar shumë kohë, përpjekje dhe para në aspekte të tilla si dezinformimi përmes mediave sociale. Si mund t’i përgjigjet më së miri SHBA-ja sfidave të tilla?

Së pari, ne duhet të ndihmojmë realisht në zhdukjen e përçarjeve brenda shoqërisë sonë. Rusët, kinezët dhe të tjerët janë përpjekur të shënjestrojnë popullata të pakënaqura, për t’i bërë ato edhe më të zhgënjyera me shoqëritë ku ndodhen. Dhe ky është një manual i vjetër i subversionit.

Ai daton që në epokën e Josif Stalinit, kur diktatori sovjetik foli për ndërtimin e “Kolonave të Pesta” brenda shoqërive perëndimore që kishin segmente njerëzish të pakënaqur, dhe që do të josheshin përmes Internacionales Komuniste. Ata as që do ta kishin ëndërruar, se çfarë dhurate do të ishin më vonë mediat sociale.

Ato janë shumë më efikase në identifikimin e grupeve të pakënaqura. Nëse rusët e bënë në fillim këtë ndërhyrje, turp për ta, ndërsa nëse e përsërisin, atëherë turpi do të jenë i yni.

Ne e dimë se çfarë bënë ata. Prandaj, duhet të ketë një bashkëpunim të plotë midis platformave të mediave sociale dhe qeverisë, për t’u siguruar që ata të mos ndërhyjnë më në punët tona.

E fundit, ne duhet të dalim nga dhomat-jehonë të mediave sociale. Nëse rrini vazhdimisht në shoqërinë e njerëzve që ju thonë “Amen” për gjithçka, atëherë ndërroni shoqëri. Ju e dini se çfarë ndodh kur nuk takoni njerëz që mendojnë ndryshe? Ju mendoni se ata janë ose budallenj ose të korruptuar. Dhe kjo është ajo po ndodh me ne.

Kur elitat në politikë, media, biznes, arsim apo fusha të tjera, rrinë të distancuara nga njerëzit e thjeshtë, dhe nuk i kuptojnë ankthet që ndjen qytetari i zakonshëm, si e kërcënon kjo sjellje politikën apo kulturën tonë?

Populizmi nuk është në fakt anti-demokratik. Ai mund të çojë në tendenca anti-demokratike, por ai është ne thelb anti-institucional. Ai thotë se institucionet aktuale, elitat, nuk besojnë tek qytetarët. Se ato nuk shqetësohen për interesin e qytetarëve të zakonshëm, por vetëm për të tyren.

Ju e shihni rritjen e pabarazisë sociale dhe ekonomike midis elitave dhe njerëzve të thjeshtë. Dhe kjo e përforcon konceptin e distancimit të elitave. Fatkeqësisht, shumë nga përvojat e përbashkëta sociale që kemi pasur dikur, si shërbimi ushtarak, shkuarja në Kishë etj, sot nuk i kemi më në të njëjtën shkallë.

Dhe vetë elitat janë të përçara. Një kontributor tjetër i madh në këtë drejtim është globalizimi. Për ne ishte e dobishme pasja e një narrative integruese për botën. Por ata që sot lëviznin lehtësisht nëpër botë, që flasin gjuhë të ndryshme, që përfituan nga globalizimi, duket se e kanë harruar se shumica e njerëzve nuk lëviznin dikur më shumë se 35 km nga vendi ku kishin lindur.

Nuk është e lehtë t’i thuash një minatori të papunë në Virxhinian Perëndimore, se globalizmi është i mirë për ty, pasi ti mund të blesh mallra më të lira në supermarket. Ne e kemi harruar, që ndërsa globalizimi pati përfitime të jashtëzakonshme për shumicën, ai la pas shumë njerëz. Dhe ata janë të dëshpëruar dhe ndjehen të parespektuar. Prandaj nuk e habitshme që del një populist dhe u thotë: “Elitat nuk kanë pasur asnjëherë parasysh hallet e tua!”, dhe ata e besojnë këtë gjë.

Si duhet t’u përgjigjen demokracitë atyre që ndjehen të lënë pas dore, apo që e kanë humbur identitetin e tyre kombëtar ose kulturor?

Përgjigja është e ndryshme për Shtetet e Bashkuara, dhe për disa demokraci të tjera. Evropa ka një problem real, pasi evropianët u përpoqën për shkak të historisë së tyre, të mënjanonin nacionalizmin, të shtypnin identitetin kombëtar, dhe ta zëvendësonin atë me një identitet evropian.

Kjo përfaqësohej nga ideja që burokratët e pa-zgjedhur nga qytetarët në Bruksel po merrnin vendime për gjithçka, nga deficiti buxhetor i Italisë tek përbërja e djathit. Por kjo përpjekje ka dështuar. Njerëzit thanë:”Jo, unë dua të jem polak. Dua të jem anglez!”. Dhe Brexit ishte një rezultat i këtij dështimi.

Unë mendoj se Evropa do të përjetojë një periudhë shumë të vështirë, derisa të ri-gjejë një lloj ndjenje të një identiteti evropian, sidomos tani që Covid-19 i ka ekspozuar edhe më shumë ato çarje. Në SHBA, mungesa e një narrative të përbashkët ka qenë problematike.

Po kështu edhe paaftësia jonë për të biseduar mbi ndarjet kulturore dhe etnike në atë mënyrë që të pranojmë se shumë njerëz po vuajnë, dhe se ata nuk kanë qasje në një arsim cilësor për fëmijët e tyre. Ne duhet ta adresojmë këtë ndarje kulturore, ku nuk e njohim më mirë njëri-tjetrin, dhe ku po jetojmë në shoqëri shumë të ndara.

Çfarë roli luan identiteti në trazirat e fundit që po shohim, jo ​​vetëm këtu në SHBA, por në të gjithë botën?

Identiteti është një gjë e shkëlqyer, të dish kush je, se nga ke ardhur, të njohësh historinë tënde, luftërat e popullit tënd. Unë jam shumë krenare për prejardhjen time afro-amerikane. Për shkak të skllavërisë, unë jam evropiane në 40 për qind të ADN-së sime.

Pra, identiteti është një diçka komplekse, veçanërisht në një vend si yni. Problemi lind kur ti e “armatos” identitetin tënd kundër identitetit të dikujt tjetër. Kur identiteti im, më jep të drejtën të kem gjëra që ti nuk i ke. Kur identiteti im do të thotë që t’i duhet të bësh një hap pas, pasi unë kam vuajtur më shumë. Dhe kur bëhet fjalë për identitetin etnik ose racor ose fetar, kjo mund të jetë e rrezikshme.

Si mund t’i rezistojnë demokracitë e qëndrueshme kësaj pandemie, në mënyrë që të mos mposhten dot nga “Katër Kalorësit” e nativizmit, izolacionizmit, proteksionizmit dhe populizmit?

Një nga gjërat që ka funksionuar shumë mirë për ne është federalizmi. Njerëzit i besojnë natyrshëm qeverisë që u qëndron më pranë, sesa asaj që u rri larg. Demokracitë duhet t’i rikthehen parimeve të tyre thelbësore, siç është dhënia e zërit për sa më shumë njerëz që të jetë e mundur.

Demokracitë si SHBA dhe Britania e Madhe, nuk do kenë probleme. Unë shqetësohem për demokracitë e pakonsoliduara, për demokracitë e reja, ku tundimi për të shkuar drejt autoritarizmit, mund të vazhdojë shumë më tej në vende si Hungaria. Shoh me shqetësim situatën në Poloni, efektin që do ketë pandemia në vendet afrikane, dhe ato të Amerikës Latine, të vetëm kohët e fundit kanë filluar të kenë qeveri demokratike. / Bush Center – Bota.al