Edhe Shqipëria, krahas vendeve të tjera duket se po bën përpjekje për të siguruar vaksinën kundër Covid-19 ende pa dalë në treg. Së fundmi, mësohet se vaksina kundër pandemisë pritet të sigurohet sa më shpejt dhe se do të shpërndahet falas për të gjithë popullatën shqiptare, sapo ajo të dalë në treg. Bëhet me dije se injektimi i vaksinës nuk do të jetë i detyrueshëm, por ata që duan ta bëjnë do ta përfitojnë kundrejt asnjë pagesë.

Ndërkohë, burime pranë Ministrisë së Shëndetësisë saktësojnë se Shqipëria po ndjek disa mundësi për sigurimin e vaksinës. Njëra është përmes mekanizmit Covax, një koalicion botëror që drejtohet nga OBSH. Ndërkohë që vendi ynë, sipas po të njëjtave burimeve, është në tentativë për sigurimin e saj edhe nëpërmjet Polonisë.

Më herët, shefja e Departamentit të Epidemiolgojisë dhe Kontrollit të Semundjeve Infektive Silva Bino, gjatë inaugurimit të Qendrës Shëndetësore në Kombinat, tha se ende nuk ka një vaksinë gati, por shteti shqiptar është në bisedime me disa vende për të lidhur kontratë sa më parë.

“Akoma bota nuk ka një vaskinë të sigurt. Janë 7 vaksina të cilate kanë kaluar fazën e dytë. Janë vaksina tepër premtuese. Është një iniciativë botërore, që është iniciativa e Kovaksit, që është një aleancë mes shumë vendëve dhe natyrisht nën udhëheqjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë”, tha ajo duke shtuar se:

“Natyrisht ka iniciativa të Bashkimit Europian, të cilat do të vlerësohen natyrisht dhe ne do të sjellim atë vaksinë që është efikase”.