Departamenti Amerikan i Shtetit ka renditur Shqipërinë në listën e vendeve të sigurta përsa i përket sigurisë së rrjeteve të komunikimit.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka përshëndetur raportin e DASH, sipas së cilit, Shqipëria është një vend i sigurt në rrjetet e komunikimit.

Balluku shprehet se ky është vlerësimi i radhës për punën tonë të mirë nga partnerët strategjikë.

“Në raportin e publikuar së fundmi, “Rrjeti i pastër garanci për mbrojtjen e aseteve Amerikane”, DASH ka përfshirë Shqipërinë në vendet me rrjet të pastër/të sigurtë duke qenë një nga vendet e angazhuara për mbrojtjen e rrjeteve 5G nga prodhues jo të besueshëm dhe për të bashkëpunuar vetëm me kompani të sigurta”, thekson Balluku.

“Krenarë që gjithmonë qëndrojmë në krah të partnerëve tanë strategjikë, në mbrojtje të qytetarëve dhe shërbimeve të sigurta”, shprehet ministrja.