Kandidati demokrat për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden dhe e nominuara si zv.presidente, Kamala Harris i janë drejtuar kombit amerikan.

Dyshja demokrate kanë ardhur së bashku ne një shkollë e mesme të shtetit të Delawares, ku kanë mbajtur fjalimin e parë si të nominuar për postet më të larta të SHBA-ve, raporton CNN.

Biden do të përballet me presidentin, Donald Trump në zgjedhjet e 3 nëntorit ndersa Harris, një senatore nga California, është gruaja e parë me ngjyrë dhe indiane që është propozuar për nënpresidente.

Ish-nënpresidenti amerikan gjatë presidencës së Barack Obama, Biden tha se zgjedhjet e ardhshme do të thonë shumë për Amerikën.

“Zgjedhja që ne do të bëjmë këtë nëntor do të vendose të ardhmen e Amerikës për një kohë shumë, shumë të gjatë. Donald Trump ka filluar tashmë sulmet e tij duke e quajtur Kamalan, citoj, si senatore e keqe”, tha fillimisht Biden.

“Nuk është befasi sepse vetëm zhurmë di të bëjë Donald Trump, më mirë se çdo president në historinë amerikane. A është dikush i befasuar me Donald Trump që ka problem me një grua të fortë, apo gra të forta?”, tha ndër të tjerash Biden.