Kryeministri Edi Rama ka publikuar ditën e sotme pamje se si dukej Drejtoria Rajonale e Shërbimeve të Transportit Rrugorë (DRSHTRR) në Laç, nga një godinë që përmbytej, në një ndërtesë me standarde europiane.

Kreu i qeverisë ka sqaruar se kjo ndërtesë është një prej kantiereve për transformimin rrënjësor të shërbimit për drejtuesit e mjeteve, të Lezhës, Rrëshenit dhe Mirditës, teksa ka vënë në pah dhe ndryshimet që ajo godinë do të pësojë, përfshirë edhe rrugën.

“Për shkak të shirave dhe motit të keq DRSHTRR është përmbytur herë pas here duke rrezikuar godinën, kushtet e punës, sallat e shërbimit dhe arkivat. DRSHTR, investim i ri! Rehabilitim i të gjithë territorit, përfshirë edhe rrugën hyrëse. Zgjidhje përfundimtare e problemit të përmbytjes duke krijuar rrjetin inxhenerik, drenazhim dhe sigurim të rrethimit. Ndërtim i ri me strandarde dhe cilësi të lartë, sisteme sigurie, ndriçim oborri. Arkiv e re për ruajtjen optimale të dokumenteve. Sallë e re e regjistrimit dhe e drejtuesve të mjeteve. Sallë e re e testimit me të gjithë elementët e monitorimit të testimit teorik. Kapanoni i Kontrollit Fizik e Konstruktiv. Mobilim dhe pajisje të reja. Rrjete te reja elektrike, informatike dhe inxhinierike. Sistem kondicionimi dhe ventilimi. Ribrandim dhe unifikim i veshjes strukturore të fasadës në përputhje me imazhin e ri. Me punë dhe vullnet”, shkruan Rama.