Këndi edukativ i sigurisë rrugore zbret në Përmet, ku ekspertë të Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor dhe Policisë së Shtetit u shpjeguan fëmijëve të këtij qyteti si pedalues apo si këmbësorë, edhe si shofera nesër, rregullat dhe rrezikun e përdorimit të rrugës, me sinjalistikën bazë e me rëndësinë e kujdesit për veten dhe tjetrin. Këndi edukativ i sigurisë rrugore, është projekti i organizuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor, në kuadër rritjes së sigurisë rrugore.
Kjo nisëm ka për qëllim edukimin dhe nxitjen e fëmijëve për të pasuruar njohuritë lidhur me rregullat e trafikut rrugor. Viti 2020 është shpallur viti i sigurisë rrugore. MIE përmes këtij projekti synon të rris qytetarë më të mirë, qytetarë që nesër nuk do të bëjnë aksidente në rrugët e Shqipërisë, qytetarë që do të jenë të kujdesshëm kur kalojnë në semafor, apo qytetarë që do rrisin fëmijë edhe më të mirë nga këta që ne po rrisim sot.
Njohuritë mbi trafikun, lëvizjen, të drejtat e detyrimet nguliten më mirë që në fëmijëri, ku rol parësor ka shembulli në familje, shkolla si edhe aktivitetet edukative e didaktike siç pasqyron edhe projekti kombëtar i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor.