Sergio Ramos, kapiteni i Real Madridit, e përjetoi keq nga shkallët e stadiumit “Etihad” eleminimin e skuadrës së tij kundër Manchester City. Ai mungonte në këtë sfidë deçizive për shkak të plotësimit të numrit të kartonëve të verdhë. Pra, ishte i pezulluar. Pikërisht në qendër të mbrojtjes ndodhën dy gafat, prej nga erdhën dy golat e “qytetarëve”. Dy gabimet serioze të Varane iu kushtuan shtrenjtë madrilenëve, eliminimin që në 1/8 finale të Champions-it.Kamerat kanë kapur fytyrën e Ramos në momentin e gabimit të dytë të qendërmbrojtësit francez, e cila është bërë “virale” në krejt mediat e botës. Pikërisht fytyra e kapitenit pasqyron pabesueshmërinë e gjithë “madridismo” për çfarë ngjau në fushën e lojës. Sidomos me Varane, partnerin e Sergio Ramos prej disa vitesh. Kjo foto e kapitenit është tejet e komentuar në rrjetet sociale. Ajo nënkupton zhgënjimin e madh, pas gafës së dytë të francezit, mosbesim dhe zhgënjim të pastër të krejt familjes së “Los Blancos”.