Paga e lartë vjetore e Cristiano Ronaldos raportohet se është bërë problem për Juventusin pas krizës financiare të sjellë te klubet e futbollit nga përhapja e koronavirusit dhe tani Barcelona raportohet si destinacion potencial i portugezit.
Gazetari spanjoll Guillem Ballague raporton se Juventusi ia ka ofruar Barcelonës Cristiano Ronaldon, pasi thotë se kampioni i Serisë A nuk mund t’i përballojë shpenzimet e mëdha për pagën e portugezit, transmeton Gazeta Express.
Juventusi ka qenë ndër klubet që është dëmtuar më së shumti në aspektin financiar gjatë kohës së fundit, shkaku i krizës ekonomike të shkaktuar nga përhapja e koronavirusit në botë, dhe do të duhet t’i ulë shpenzimet për të mos u futur në telashe edhe me UEFA-n.
Shkaku i kësaj krize, Balague raporton se Juventusi është i gatshëm ta largojë Ronaldon, përkundër që ky i fundit e ka pasur një sezon mbresëlënës në Itali, duke e mbyllur sezonin si golashënuesi më i mirë i skuadrës, me gjithsej 35 gola në të gjitha garat.
Kontributi i Ronaldos i ndihmoi Juventusit ta fitojë titullin e nëntë radhazi në Serie A, por s’e shmangi dot eliminimin nga Liga e Kampionëve, që çoi deri te shkarkimi i Maurizio Sarrit dhe emërimi i Andrea Pirlos në postin e trajnerit.
Njëra ndër sfidat me të cilat do të përballet Pirlo është që do të duhet të sigurojë suksese përderisa klubi tenton t’i ulë shpenzimet. Kjo mund t’i kushtojë Pirlos me pesë-herë fituesin e Topit të Artë.
Sipas Balague, Ronaldo paguhet 23 milionë euro në vit në Juventus dhe pasi që kjo pagë nuk është më e përballueshme për bardhezinjtë, ai thotë se tashmë portugezi i është ofruar disa klubeve, përfshirë këtu Barcelonën.