Nga Mero Baze/

Mu desh të rrija 54 orë me sy nga Kakavija, deri të dielën në mëngjes, dhe fizikisht në Gjirokastër, pasi motra ime dhe burri i saj i sëmurë, u bllokuan aty. Ishte e pamundur t’i ndihmoje. Nëse tentoje të afroheshe me veturë në linjën bosh, mund të të shqyenin me të drejtë njerëzit që mendonin se po kaloje pa radhë. Në atë betejë nervash pamundësish, vape, krize nevojash njerëzore, e deri tek krizë e urisë, unë kam parë me sytë e mi vetëm dy heronj, që kanë 24 orë që nuk po ndihen. Flamur Golemi, kryetar i Bashkisë Gjirokastër, dhe Dhimitraq Tole, kryetar i Bashkisë Dropull, që ishin dy zyrtarë të shtetit që shpërndanë rreth 4 mijë koli ujë, sanduiçe dhe ushqime të tjera dhe përpiqeshin të menaxhonin me ekipin e tyre, krizat e vogla njerëzore dhe nevojat për lëvizje nga vetura tek pika e kontrollit kufitar, ku plotësoheshin e riplotësoheshin çdo ditë formularët. Në ditën e dytë dhe të tretë të krizës, hyri në lojë Ministria e Mbrojtes me Olta Xhaçkën në krye, duke sjellë tualete portativë dhe duke plotësuar nevoja të tjera urgjente të qytetarëve në radhë.

Tani kur beteja mbaroi, kur pika kufitare është bosh dhe njerëzit duhet të kalojnë me kuota ditore, shikoj dy “heronj” që nuk ishin në këtë betejë, Ilir Metën dhe Pandeli Majkon, që po përpiqen të shkruajnë historinë e një beteje që nuk ka ndodhur për ta. I pari, pasi ja merrte labçe në Pilur, ndërkohë që njerëzit po vdisnin në radhë, duket që është i goditur nga dielli, pasi ka shpikur si përgjegjësi të palës shqiptare, faktin që nuk ka informuar qytetarët që në datën 16 e më pas, në Greqi kalohej vetëm duke bërë tamponin. Nuk e di kush e ka tallur, ngaqë e shikojnë personazh të lehtë për t’u vënë në lojë, por kriza u shkaktua pikërisht nga e kundërta kësaj që thotë, nga fakti që qytetarët ishin shumë të informuar, që pas datës 16 nuk kalohej pa letrën e analizave të COVID dhe se duhet të bënin 7 ditë karantinë në Greqi. Beteja ime për ta kthyer motrën mbrapsht dështoi pikërisht se asaj ja kishin bërë të qartë policët, kur hyri në kufi në datën 7 gusht, se pas datës 16 duhet të bënte tamponin dhe 7 ditë karantinë në Athinë. Ndaj ajo hyri dhe desh vdiq, si shumë të tjerë mes turmës.

Pra kriza u shkaktua, jo se Qeveria nuk i njoftoi, por se i njoftoi dhe nuk kishte çfarë të bënte më shumë se sa ti njoftonte, përveçse t’i ndalte me ushtri qysh në Tepelenë. Ndoshta Ilir Meta se ka dëgjuar, se ai kur është në Lalëz dëgjon vetëm Doktorin që ka tek vila fqinj, por herë tjetër duhet të gjejë ndonjë arsye për të qenë, për t’u dukur si opozitar. Nga ana tjetër unë nuk mendoj se Qeveria jonë kishte shumë gjëra për të bërë më dhe nuk i bëri dot. Beteja e dy kryebashkiakëve për të shpëtuar krizën humanitare dhe mbështetja finale e Ministrisë së Mbrojtjes, praktikisht na shpëtuan nga dëme të tjera më të mëdha. Në nivel diplomatik, Olta Xhaçka arriti dy fitore të vogla. Të shtunën, kur Greqia kishte festën e Shën Mërisë dhe kishte sportele të reduktuara, arriti t’i shtonte ato dhe më 16 gusht, ta shtynte orarin e kalimit deri në orën 24:00. Kaq mund të prodhohej politikisht, duke mos shkelur rregullat. Po këtë vlerësim nuk ja kërkoj Ilir Metës ta bëjë, se pastaj e hamë me sy si burrë i mirë dhe i shkojnë dëm hudhrat që mban mbi kokë në fotografi.

Por më e ligë se kjo beteja pas pilafi e Ilir Metës, mu duk protagonizmi fallco i Pandeli Majkos. Ministri i Diasporës paskësh telefonuar hirësinë e tij, kryepeshkopin Anastas. Hirësia e tij, kryepeshkopi Anastas, jam i bindur që nuk do të linte gjë pa bërë, që ajo krizë të mos ndodhte, edhe nëse ishte në dorë të Zotit, edhe nëse ishte në dorë të grekëve, apo shqiptarëve. Do ta bënte këtë dhe pa i telefonuar Pandeli Majko, pasi është personaliteti më me ndikim në hapësirën Shqipëri-Greqi, e më tej. Por hirësia e tij në këtë rast kishte në dorë vetëm për t’u lutur në meshën e mëngjesit të dielën e kësaj jave për vuajtjet e emigrantëve se gjë tjetër nuk ka pasur çfarë të bëjë. Ne nuk ishim para ndonjë komploti nga pala greke dhe hirësia e tij të na ndihmonte pas telefontës Pandeliut. Nuk ishim as përballë ndonjë qëndrimi nacionalist, apo sherri nga pala shqiptare, që ai ta zgjidhte. As Qeveria greke nuk e zgjidhte dot më atë krizë, pasi duhet të ndryshonte rregullat e veta, gjë që nuk kishte pse ta bënte, se i kishte njoftuar qytetarët në kohë. Pandeli Majko, thjesht ka shqetësuar hirësinë e tij Anastas, në atë moshë dhe në atë gjendje shëndetësore, për të justifikuar strukjen e tij në vilën e pushimit në Golem dhe mos shfaqjen publike si ministër i Diasporës në Kakavijë, ku të paktën të shpërndante ato lojërat “Mos u nxeh”, se e bëri që e bëri atë tenderin në mes të pandemisë. Por nga ana tjetër mund të jetë i qetë, pasi nuk është se ra në sy mungesa e kontributit të tij në këtë krizë. Më shumë ra në sy hipokrizia e tij pas betejës dhe shkopi magjik që ka paska shpikur për zgjidhjen e krizës.

Ndjesë hirësisë së tij, kryepeshkopit Anastas, që duhet ta përfshijmë në këtë debat, por nuk e ka prej nesh këtë telash. E ka prej Pandeliut, që mirë që i ka prishur qetësinë dhe e ka bërë të vuajë pamundësinë e ndihmës ndaj emigrantëve, por do ta keqpërdorë këtë, sikur ne kishim një krizë me Greqinë e na duhej të na e zgjidhte një mik i madh i shqiptarëve dhe grekëve, siç është hirësia e tij kryepeshkopi Anastas. Tani për fat kriza u zgjidh dhe Ilir Meta mund të vazhdojë të pijë raki në Pilur dhe Pandi të pijë birra në Golem, se nuk ishin të nevojshëm as para katër ditësh kur vdisnin njerëz, e jo më sot, kur duan ta shpallin veten heronj të një beteje që nuk e kanë bërë kurrë. Realisht, ata meritojnë të jenë viktima të kësaj krize, njëri si president dhe tjetri si ministër Diaspore. Por ngaqë nuk i merr njeri seriozisht, e kanë këtë lirinë të shpikin historira. Kështu e kanë shtyrë 30 vjet.