Ederson Moraes (Osasco, Brazil, 17.08.1993) ishte pjesë kryesore e planit të Pep Guardiolës në “Bernabéu”. Loja e tij e shkëlqyer me këmbë prodhoi topa të gjatë për Gabriel Jesús, i cili ekzekutoi planin e hartuar nga trajneri i Manchester City. Pep shfrytëzoi një nga cilësitë e shkëlqyera të portierit brazilian, një virtyt për të cilin fajin e ka Gilberto Lopes, zbuluesi i Ederson në shtetin e Sao Paulo.

“Jo si portier, profesor, jo përsëri. Nuk më pëlqen. Dua të luaj në vendin tim, në anën e majtë, më tha. Kërkesë normale, sepse ai ishte 9 vjeç dhe në atë moshë, shumica e djemve duan të shënojnë gola, duke qenë lojtar të fushës, – tregon për “Marca” Lopes, direkt nga fusha ku ka stërvitur lojtarët për vite me radhë. – Gjithmonë me ndihmën e Jezusit, Ederson e kuptoi shpejt se porta ishte një ide e mire për të. Unë pashë një talent të fshehur tek ai, ndaj e aktivizova si portier. Ai ishte një djalë shumë, shumë i hollë. Prandaj, bashkëlojtarët filluan ta quajnë me shaka “El Gordo”. Ai e godiste topin shumë fort, por teknikisht nuk ishte shumë i mirë. Kjo është arsyeja pse unë vendosa ta aktivizoj në portë. Ai nuk donte, por shpejt do të kishte sukses në këtë rol”.

Në fushat e FC Ebenézer, një vend ku Gilberto Lopes përpiqet të merret me djem në situata të vështira, përmes futbollit, Ederson arriti në moshën 9 vjeç. “Na e sollën aty, sepse njëri nga vëllezërit e tij ishte me ne. Familja e tij ishte shumë e varfër, por e strukturuar dhe përkujdes prindëror. Ata ishin nga një zonë me shtëpi, ku shumë prej tyre nuk kishin fare çati. Babai i tij ngrihej shumë herët, në katër të mëngjesit, për të shitur fruta. Tani, Ederson është portieri më i shtrenjtë në botë dhe i ka harruar disa nga ato gjëra. Neve na premtuan disa gjëra që, le të themi, nuk i përmbushën plotësisht. Unë nuk kam folur me të prej një kohe të gjatë, – shpjegon Giba me një nuancë të hidhur në zërin e tij. – Ishte më e mira që mund të bënte, pa dyshim. Ai po shënonte gola, kur e aktivizuam si portier”.

Këmba e tij e majtë e fuqishme, ajo që e ekspozoi në “Bernabéu” me pasimet e tij të kalibruara mirë, është regjistruar në librin “Guinness” të statistikave. Në maj 2018, Adam Brown e testoi portierin brazilian për “Guinness” në godijtet nga distanca. Ederson pati tri përpjekje për të shënuar gol përtej 75 metrave largësi. Me Kyle Walker, Raheem Sterling dhe Phil Foden si mbështetës, ai e dërgoi topin 35 centimetra përtej asaj që kërkohej. Në shtëpinë e tij ka pllakatë të “Guinness”, që dëshmon për këtë rekord.