“Motra ime ka patur përherë konflikte, për këtë shkak para 5 apo 6 viteve është ndarë. Ajo ka dy djem njëri I moshës 20 vjeç dhe tjetri 22 vjeç. Motra ime së fundmi kishte edhe problem pronësie me ish bashkëshortin dhe për këtë shkak më lindi ideja që të shkoja tek shtëpia e dhëndërit të tij dhe t’i bëja presion”. Kështu nis e justifikon grabitjen me armë në shtëpinë e Bashkim Zajës , njëri nga grabitësit e quajtur J. Aruçi. Për këtë qëllim, sipas dosjes hetimore të dorëzuar në gjykatë, në përfundim të hetimeve prokurorët thonë se 29 vjeçari nga fshati Grebëz mori si ndihmës edhe dy kushërinjtë e tij D.Bami dhe Sh. Bami

“Me vete kishim dy automatikë që i gjeta në lumin Zezë, ndërsa kushëriri më i vogël mori me vete një biçak të vogël. Kur shkuam afër shtëpisë së Bashkimit, përshtatëm një bluzë si maskë fytyre, kapërcyem murin dhe hymë në oborr”-tregon 29 vjecnari në rrëfimin që gazeta “Si” disponon. I zoti i shtëpisë që tregoi se kaloi momente tmerri bashkë me katër anëtarë të familjes , kujton gjatë seancës së pyetjeve nga hetuesit:

“Ishim të gjithë si familje në gjumë. Lehën qentë. Dola për të parë. Mbaja mend që dritën e jashtme e kisha lënë ndezur. Sa hoqa shulin dhe hapa kanatën, në derë më vendosën kallashin në fytyrë. Policia kemi ardhur për kontroll sepse ke qëlluar me armë. Më shtynë brenda dhe u rrëzova përdhe. Na ulën në gjunjë, me pamje nga dera. Aty për pak minuta sollën bashkëshorten Dritën, pastaj djalin Ledmirin, kur sollën vajzën ajo u lut: O ba mos bërtisni dhe as mos lëvizni se do më trembet djali”

Në mbyllje të hetimeve prokuroria e Tiranës radhit dinamikën se çfarë ndodhi për pak minuta në familjen Zaja, me banim në fshatin Qinam. “Kam bërtitur me zë të lartë, policia nuk ka pse të më lidhë duart, por menjëherë ky person më mbylli gojën me natriban të bardhë “– rrëfen kryefamiljari në dosjen që gazeta “Si” disponon.

“Bashkëshortja ime ju tha, mos më lidhni se jam me zemër dhe më pushon zemra, por ata nuk pyetën e lidhën edhe atë me fasheta të zeza në duar siç vepruan edhe me mua” shton.I zoti i shtëpisë kujton se e gjitha kjo gjendje ka zgjatur diçka rreth tetë minuta , teksa granitësit e maskuar kontrollonin shtëpinë, dhe njëri prej tyre mbante armën të drejtuar nga ata. Në dosje shtohet se në fund hajdutët kanë njoftuar : mos lëvizni se jemi policia , tani do bëjmë kontroll përjashta –dhe pas kësaj ata janë larguar

Zaja tregon heshtjen që kaploi nëpër natë : “Nuk dëgjuam më as zhurmë, as hapa njerëzish, as lëvizje makine. Madje aq qentë nuk lehnin më. Vajza më thirri “Eja babi të të zgjidh” dhe aty kuptova se vajzën nuk e kishin lidhur . Në dosje përmendet se policia e vërtetë u vu në dijeni për grabitjen nga Trëndafilja, vajza e shtëpisë, që kishte kërkuan ndihmë në numrin pa pagesë. Nga kontrolli i imtësishëm familja kuptoi se hajdutët kishin rrëmbyer përveç kursimeve edhe pensionin e pleqve , që ishte tërhequr nga kryefamiljarja në një bankë në Kamëz. Vlera totale e shumës së grabitur referohet në dosjese ishte 500 mijë lekë dhe së bashku me paratë grabitësit kishin marrë edhe aparatet e telefonave

Për të konfirmuar se tre grabitësit nuk kishin hyrë në banesë vetëm për kanosje, prokurorët sjellin edhe rrëfimin e njërit prej hajdutëve . J. Aruçi përsërit veprimet që kryen “Kontrolluam dhomën e gjumit dhe morëm me vete një çantë grash ku brenda kishte një portofol me lekë dhe karta telefoni. Kur dolëm jashtë hasëm një djalë të ri, rreth 20 vjeç. E pyetëm ku po shkon. Na tha- në shtëpi.

Gabimi fatal  Por ky djalë I ri ishte pikërisht nipi i hajdutit ( djali I motrës së tij).Kur policia shoqëroi dhe mori në pyetje të gjithë kushërinjtë dhe familjarët që jetojnë në të njëjtën lagje, i tërhoqi vëmendjen dëshmia e 20 vjeçarit: “Qëndrova në lokal deri rreth orës 23:00. Ishte errësirë dhe për t’u kthyer në shtëpi mbaja një elektrik dore. Tek porta e Bashkim Zajës pashë tre persona të armatosur dhe me maska. Më bërtitën –fike dritën , jemi policia e shtetit, ku po shkon më pyetën? Pasi grabitësit e kanë pyetur për të emrin , i riu ia tregoi. Por ndërkohë ka dëgjuar njërin prej tyre “Është nipi im, ikim”. Ka qenë pikërisht ky detaj që më pas ka dërguar policinë në shtëpinë e hajdutëve, të cilët kanë treguar se ku i kishin fshehur armët dhe të gjithë planin. Të tre kushërinjtë do gjykohen për përfundim të hetimeve për vjedhje me dhunë, ndonëse njëri prej tyre këmbëngul që kishte hyrë në mesnatë në familjen Zaja për t’i kërcënuar dhe se çantën se bashku me lekët I kishte hedhur në lumë. (Gazeta “Si”)