Nga Emi Hajro
Të gjithë e njohim Ina Zhupën. Jo për ndonjë aftësi të saj, as për ndonjë shkëlqim në politikë, media apo botën akademike, nga e cila edhe vjen, por për shkak të podiumit të PD-së dhe bashkëshortit të saj, një njeri i njohur për drejtësinë. Partitë politike në Shqipëri njihen veçanërisht për mënyrën e fuksionimit të tyre klanor.
I pari i partisë është si “i pari i fshatit”, që nuk i jep llogari askujt pasi nuk ekzistojnë rregullat, statuti shkelmohet sipas interesave të ngushta, nuk diskutohet për meritokraci – pasi të gjitha këto janë zëvendësuar me “diktaturën” që ushtron lidershipi.
Partia Demokratike është shembulli më konkret ku nuk njihet statuti në përmbajtje, ekziston thjesht formalisht, si një dokument por i pavlerë. Në pozicione kyçe të drejtimit të partisë komandohen figura pa kontribute dhe pa asnjë historik të ngjashëm me PD-në.
E gjitha kjo sepse ashtu do kryetari, i cili në këtë rast e trajton partinë si çiflig të interesave personale dhe atyre familjare dhe rasti konkret për të përkufizuar “çorbën e prishur” të Partisë Demokratike është zëdhënësja e selisë blu, e lartpërmendura Ina Zhupa.
Ina Zhupa doli nga zyra e Henri Çilit dhe menjëherë Lulzim Basha i garantoi një strehë të ngrohtë, atë të zëdhënëses së PD. Jo vetëm anëtarësia e PD, por as Kryesia dhe Grupi Parlamentar nuk e njihnin. Merita e saj e vetme ishte se vinte nga Universiteti i Çilit, i cili deri para pak kohësh ishte furnizuesi numër një i PD-së me burime njerëzore. Pa asnjë meritë, pa asnjë vlerë dhe kontribut në radhët e demokratëve, thjesht e vetëm se në CV-në e tyre kishin të shkruar emrin e Henri Çilit.
Por rasti i Ina Zhupës nuk është vetëm kaq. Si të mos mjaftojë fakti që ajo nuk përmbush as kriteret më minimale për të qenë në pozicionin që e ka katapultuar Lulzim Basha, një tjetër problem edhe më serioz del në pah. Të gjithë e kemi parë zëdhënësen e PD të denoncojë me emër dhe mbiemër një gamë të madhe njerëzish, investitorë, biznesmenë, ndërtues dhe sipërmarrës të sukseshëm për tendera apo leje ndërtimi.
Kur kemi të bëjmë me shkelje ligjore, përgjegjësit duhet të dalin përpara ligjit. Por të dalësh në media lart e poshtë, kur nuk të mjafton foltorja e partisë dhe të përgojosh të madh e të vogël se ashtu i intereson kryetarit të partisë, është e pamoralshme. Nuk duam ta besojmë që Ina Zhupa në auditorët e shkollës i edukon studentët se si të hyjnë në shtëpitë e të tjerëve me fjalor fyes, denigrues dhe të papërshtatshëm, duke përgojuar burra, gra dhe fëmijë. Kuptohet që ky është standardi që predikon punëdhënësi i Ina Zhupës.
Por zonja në fjalë nuk duhet të harrojë se është kapur për vete në flagrancën e imoralitetit. Madje me prova të forta konfirmuese dhe jo me bla-bla-blatë e saj të podiumit dhe mikrofonëve të partisë. Zhupës duhet t’i kujtohet shumë mirë çështja “Fullpet”. Aty ku bashkëshorti i saj u dënua nga drejtësia për skemë mashtruese, e cila i shkaktoi buxhetit të shtetit një dëm prej 500 milionë lekë të reja, ose rreth 5 milionë euro.
Për Fabian Gocin, bashkëshorti i Ina Zhupës, Prokuroria kërkoi të dënohej me 8 vjet burg, por duke shfrytëzuar hapësirat ligjore arriti t’ia hedhë drejtësisë në Apel me shumë pak pasoja. Por damka i ka mbetur. Kompania ku është aksioner bashkëshorti i Ina Zhupës, “Fullpet”, e cila dikur njihej me emrin “Alpet”, nuk kishte paguar taksat dhe sigurimet shoqërore ndaj punonjësve të saj që nga viti 2012 dhe dëmi në buxhet llogaritej i konsiderueshëm.
Megjithatë, Fabian Goci nuk është ndalur me kaq. Nga një mashtrues karburantesh i akuzuar nga Prokuroria, Goci ka kaluar në biznesmenin garantor për kompanitë e tjera duke marrë tendera pafund e duke ndarë “tortën e madhe” me ato. Prandaj, përpara se Ina Zhupa të dalë dhe të denoncojë pa fre, duke shpifur pafund e duke hyrë në shtëpitë e shqiptarëve nga dritarja, bën mirë të disiplinojë bashkëshortin e saj të dënuar për mashtrim me karburantet, pasi është edhe njeriu i besuar i shumë “oligarkëve” pranë qeverisë që merr tendera në emër të tyre… A i di Lulzim Basha të gjitha këto? Marrë nga Ekskluzive.al/