Nga Ilir Yzeiri/
Pikërisht atëhere kur po mendoja se ky gusht do të kalonte pa ndonjë ngjarje të jashtëzakonshme, sepse në gusht gjithmonë do të kemi ndonjë të tillë që ka sfond herë nacional romantik e herë mund të jetë një provokim banal gjithnjë me një mbështjellje konflikti e provokuar kryesisht nga fqinjët tanë në jug ose nga shqiptarë folklorikë që bëjnë heroizma pa ide, ndodhi kjo që po shohim në Kakavijë
Kjo që po ndodh tani në fund, ku Greqia ka bllokuar hyrjen në kufi se kërkon të kryejë edhe testet apo tamponet për të hetuar rastet e atyre që mund të jenë infektuar me Covid-19, ka shkaktuar një gjendje shumë të rëndë në kufirin shqiptaro-grek. Siç e kemi ndjekur të gjithë këto ditë, radha e atyre që presin të kalojnë kufirin në Greqi ka shkuar me kilometra.
Dua të jem i qartë që në fillim. Greqia ka problemet e saj dhe imazhi grek në trajtimin e refugjatëve është i jo ai që do të duhej të ishte. Megjithatë, në shtetin grek kanë gjetur shtëpinë e tyre me mijëra e qindra mijëra shqiptarë. Identetet tona të ndryshme dhe lufta për ta çuar kufirin deri në Elbasan apo për ta zbritur deri poshtë nuk do të pushojë mesa duket asnjëherë mes grekëvë nacionalistë dhe shqiptarëve.
Paqja jonë me këtë shtet është ndërtaur me mbulimin e krimeve që grekët kanë bërë mbi çamët apo mbi popullsitë shqiptare të jugut pas shpalljes së Pavarësisë. Mirëpo sot ne kemi një realitet tjetër. Qindra mijëra shqiptarë kanë gjetur strehë, punë dhe kanë ndërtuar jetën e tyre në atë vend që tani e thërrasim mik. Ky pak a shumë mund të jetë sfondi historik mbi të cilin ndërtojmë marrëdhëniet tona sot me ta.
Po sot çfarë po ndodh në Kakavijë ? Qeveria greke nuk lejon që të futen në Greqi shtetasit që kanë kaluar kufirin më parë pa bërë një test që të shihet nëse janë të infektuar apo jo. Ku është krimi që po kryen Greqia këtu ? A e dimë ne shqiptarët folklorikë dhe të pa marrë vesh se po jetojmë në kohë lufte, se pandemia që ka përfshirë globin është më vrasëse edhe se luftërat që kanë mbuluar planetin.
Me çfarë mendjelehtësie këta shqiptarë që jetojnë në Greqi kanë marrë rrugën e kanë ardhur në Shqipëri për pushime sikur të ishte një vit i zakonshëm ? Gjtihë bota është mbyllur brenda. Ne kemi muaj të tërë që nuk lëvizim nga shtëpia dhe nuk shkojmë të takojmë të afërmit tanë apo prindërit sepse është kohë lufte, është pandemi që po vret përditë njerëz.
Si ka mundësi që këta shqiptarë që jetojnë në Greqi ngrihen e vijnë me pushime sikur të mos ketë ndodhur asgjë dhe pastaj turren të gjithë në kufi në mes të muajit sepse do të kthehen nga pushimet. A kanë vetëdije këta njerëz ? Si i marrin fëmijë e pleq dhe i torturojnë në kohë lufte që të kalojnë kufirin nga një shtet në tjetrin ? Greqia mund të ketë një mijë e një të zeza por në këtë rast si shtet i Bashkimit Europian ajo po bën detyrën : kontrollin në kufi për tamponin.
Ndërsa shqiptarët mendjelehtë turren të gjithë për t’u kthyer brenda një dite në shtëpitë e tyre sikur të jetë një ditë e zakonshme. A do të bëhemi ndonjëherë popull i disiplinuar dhe i bindur, a do të bëhemi mndonjëherë qytetarë që të kuptojmë se jeta në hapësirat e përbashkëta është e ndërtuar me rregulla e ligje.
Nëse ka plasur një luftë apo një pandemi, kjo do të thotë që jeta jonë ka ndryshuar, që duhet të respektojmë rregullat që vendosin institucionet dhe të mos sillemi si njerëz që nuk pyesim për asgjë. Nëse e sheh që ka radhë për të kaluar, përse duhet të masakrohesh atje në rrugë ? Përse nuk kthehesh pas në shtëpinë ku ishe dhe të ndërtohet një grafik, të regjistrohen emrat dhe secili të niset kur t’i vijë radha.
Mirëpo ne, shqiptarët, nuk dimë të presim, nuk durojmë që të marrim atë që na takon atëhere kur na vjen radha. Imazhet me anije që mbusheshin në vitin ’90 apo këto imazhe që shohim sot, kam përshtypjen se krijohen edhe për shkak se ne, shqiptarët ende nuk jemi mësuar të kuptojmë se kur bota është në luftë, ndonjë bombë mund të na bjerë edhe ne, se kur bota është mbërthyer nga virusi më vrasës i viteve të fundit, jeta jonë duhet të ndryshojë dhe nuk duhet të sillemi si gushtin që shkoi : vizitë në Shqipëri e plazh e pastaj kthim për shtatë palë qejfe. Jo, është kohë lu fte. (TemA)