Mesfushori i Manchester Unitedit, Juan Mata, e ka pranuar se skuadra është fizikisht e lodhur pas fitores me epërsi minimale 1:0 kundër Copenhagen në kohë shtesë, në çerekfinale të Ligës së Evropës. Manchester Unitedi u mposht në gjysmëfinale të EFL Cup dhe FA Cup gjatë këtij sezoni 2019/20 dhe tani e ka arritur të njëjtën fazë në garën dytësore evropiane, pasi e mposhti Copenhagen në çerekfinale me rezultat 1:0.

Skuadrës së Solskjaer iu desh koha shtesë për ta fituar këtë përballje kundër klubit danez e madje goli i vetëm erdhi nga pika e penalltisë, të cilën e shënoi Bruno Fernandes në minutën e 95-të të ndeshjes, gjatë kohës shtesë. Por, Unitedit – që ishte kampion i Ligës së Evropës në sezonin 2016/17 – nuk i munguan rastet në këtë ndeshje, duke iu mohuar goli dy herë nga shtylla, dy herë nga pozita jashtë loje dhe 13 herë nga superpritjet e portierit të Copenhagen, Karl-Johan Johnsson. Manchester Unitedi në gjysmëfinale tani do të presë fituesin e duelit mes Sevillës dhe Ëolves dhe ajo përballja do të jetë e 61-të për gjigantin anglez këtë sezon. Mata e pranoi se lojtarët po e ndiejnë lodhjen nga ky orar.

“Skuadra është mjaft e lodhur fizikisht. Në këtë fazë të sezonit është shumë e rëndësishme t’i fitosh ndeshjet dhe t’i kalosh rundet. Ne duam të qëndrojmë në Gjermani për një kohë më të gjatë dhe shpresojmë se do të mundë të fitojmë”.

“Të dyja skuadrat u lodhën paksa dhe pastaj kishte më shumë hapësira dhe më shumë raste. Të dyja skuadrat luajtën futboll të bukur, kështu që edhe ata kanë merita. Ne mund të kishim shënuar më shumë gola në kohën shtesë, por tani kemi kaluar tutje”.

“Nuk mendoj se e nënvlerësuam ndeshjen. Ata luajtën futboll të mrekullueshëm në ndeshjen e tyre paraprake. Ne e shënuam një gol, natyrisht që do të kishim qenë më të lumtur me më shumë gola. Por, tani është koha të shërohemi dhe ta marrim vesh kë do ta kemi kundërshtar të ardhshëm”.