Mijëra turistë britanikë shpenzuan qindra sterlina më shumë nga buxheti i tyre, në një nxitim për t’u kthyer në shtëpi nga pushimet, para se kufizimet e reja të lidhura me koronavirusin të hynin në fuqi dje në mëngjes në Britaninë e Madhe. Dhjetëra mijëra njerëz paguanin çmime më të larta për të marrë vendet e mbetura në aeroplanët, trenat dhe tragetet për të arritur në ishull përpara se kërkesa për karantinë të hynte në fuqi. Në kuadër të rritjes së rasteve të reja me koronavirus në Europë, qeveria britanike tha se kushdo që mbërrinte nga Franca, Holanda, Monakoja, Malta, ishujt Turkes, Kaikos, dhe Aruba duhej të izoloheshin për 14 ditë, sipas një rregulloreje që filloi dje në orën 04:00 (03:00 GMT). Rritja e kërkesës do të thoshte se disa tarifa për fluturimet ishin deri në gjashtë herë më të shtrenjta se zakonisht.
Të gjithë llojet e transportuesve u mbushën shpejt dhe kompania ”P&O Ferries”, që vepron në mes Kalesë dhe portit të Doverit, tha se anijet e saj ishin të zëna. Ato nxitën pasagjerët që të vinin vetëm me një prenotim të vlefshëm. Një zëdhënës tha se 12 000 njerëz u përpoqën të prenotonin biletat një orë pasi u shpallën rregullat e reja, krahasuar me vetëm qindra normalisht. Operatorët e ”Eurotunnel’, i cili lidh Britaninë e Madhe me Europën kontinentale, gjithashtu u thanë pasagjerëve që të mos shkonin në stacionet e trenave, nëse nuk kishin bileta. Franca është destinacioni i dytë më i popullor i turistëve britanikë pas Spanjës dhe qindra mijëra udhëtarët ka të ngjarë të kenë nevojë për karantinë kur të kthehen në atdheun e tyre. Një zëdhënëse e ”Abta”-s, një shoqatë udhëtimesh, tha që vendimi i qeverisë “do të ndikonte në mbarëvajtjen e procesit të kthimit në shtëpi, nëse kjo nuk do të përshtatej me kushtet e ofruara nga industria e udhëtimeve”.