Edhe e shtuna do të jetë e pafavorshme për pushuesit e qyteteve bregdetare në vend. Sinoptikanët thonë se moti do të rezervojë orë me diell të dielën, ndërsa nesër priten reshje shiu dhe vranësira. Ja njoftimi nga meteorologët e Shërbimit Meteorologjik Ushtarak: Sa i përket ditës së Shtunë vendi pritet të ndikohet nga kushte të paqëndrueshme atmosferike. Edhe pse dita nis me kthjellime e vranësira kalimtare me kalimin e orëve ato bëhen të dendura në pjesën më të madhe të territorit. Reshjet e shiut bëhen prezente fillimisht në zonën e juglindjes dhe prej orëve të mesditës shtrihen në pjesën më të madhe të vendit (përjashtuar zona e veriperëndimit).
Reshjet do të jenë të herëpashershme në formën e shtrëngatave, ndërsa në relievet kodrinore, malore edhe në formën e stuhive apo rrebesheve afatshkurtër. Përmirësim i lehtë pritet të vijë gjatë ditës së Diel me më tepër orë me kthjellime por edhe alternime vranësirash. Në relievet kodrinore-malore këto vranësira në orët e nxehta të ditës do të shoqërohen me reshje shiu afatshkurtër në formën e shtrëngatave dhe stuhive. Por, sa i përket vijës bregdetare – ndryshe nga dita e shtunë – parashikohet që të ketë më tepër orë me diell për ata që tashmë ndodhen me pushime.