Mbi 170 vaksina janë aktualisht në fazën para-klinike, duke u testuar tek kafshët apo tek dhjetëra njerëz në kushte laboratorike 14 vaksina janë në fazën e parë, duke u testuar tek një numër i vogël të rinjsh të shëndetshëm, për të vlerësuar sigurinë dhe dozimin e saktë. 3 vaksina janë aktualisht në fazën e dytë, duke u testuar tek një grupim më të madh njerëzish, përfshirë ata që janë më të rrezikuar nga Covid-19. 7 vaksina janë në fazën e tretë, duke u testuar tek mijëra njerëz, për të kontrolluar efektivitetin e tyre
Deri më tani nuk është miratuar zyrtarisht asnjë vaksinë efektive ndaj koronavirusit, në mënyrë që të mund të përdoret masivisht tek qindra apo miliarda njerëz. Përpjekjet në mbarë botën për të zhvilluar një vaksinë kundër koronavirusit të ri, nisën që në janar të këtij viti, menjëherë pasi shkencëtarët në Kinë bënë publike në internet gjenomën e një virusi që shkaktonte tek njerëzit një pneumoni misterioze. Zakonisht, zhvillimi i një vaksinës zgjat me vite, dhe testohet hap pas hapi. Vaksinat eksperimentale kandidate krijohen në laborator, dhe testohen tek kafshët, përpara se të kalojnë në provat klinike mbi grupime gjithnjë e më të mëdha njerëzish.
Këto hapa janë duke u mbivendosur tani në një garë për të zhvilluar një vaksinë kundër një sëmundjeje globale, e cila deri tani ka vrarë qindra mijëra njerëz. Në disa raste, testimi tek njerëzit, nisi para se të mbaronin studimet mbi efektet e saj tek kafshët. Ndërsa kompanitë po bëjnë testime të vogla të Fazës 1, që synojnë të përcaktojnë dozën e saktë, po planifikojnë tashmë testimet e Fazës 3, që vlerësojnë nëse vaksinat janë efektive dhe të sigurta. Asnjë hap nuk po anashkalohet, dhe zyrtarë të lartë të qeverisë amerikane kanë premtuar vazhdimisht, se asnjë vaksinë nuk do të miratohet deri pas një testimi të gjerë në Fazën 3.
Administrata e Ushqimit dhe Barnave, që ka fjalën e fundit, thotë se një vaksinë kundër Covid-19, sëmundja e shkaktuar nga koronavirusi, do të duhet të parandalojë sëmundjen ose të ulë simptomat në të paktën 50 për qind të atyre preken prej saj. Sa për krahasim, efektiviteti i vaksinës kundër gripit varion nga 40-60 për qind.
Shpejtësi e paparë.
Studiuesit në SHBA i vendosën vetes një qëllim të guximshëm në janar, për të zhvilluar një vaksinë të koronavirusit brenda 12-18 muajve. Ky do të ishte një rekord botëror. Vaksina ndaj shytave që deri tani ka qenë më e shpejta në zhvillim kërkoi 4 vjet kohë, nga konceptimi shkencor deri në miratimin e saj në vitin 1967. Ndërkohë kërkimi për vaksinën kundër HIV po vazhdon prej 36 vjetësh. Procedurat standarde po kryhen shumë më shpejt, pjesërisht pasi qeveritë po marrin përsipër rrezikun financiar të zhvillimit të një vaksine që mund të mos funksionojë. Përmes Operacionit “Ëarp Speed”, qeveria amerikane ka investuar rreth 9.5 miliardë dollarë për të shpejtuar zhvillimin dhe prodhimin e vaksinës.
Teknologji të reja.
Përparimet në shkencë dhe teknologji, u kanë dhënë studiuesve mjete të reja në dispozicion për t’i provuar kundër koronavirusit. Shkencëtarët mund ta shpërndajnë materialin gjenetik në qelizat e trupit, duke i shndërruar ato në ‘fabrika vaksinash’, dhe duke anashkaluar hapat që kërkojnë kohë, siç është prodhimi i proteinave virale, apo rritja e gjithë virusit në vezët e pulës. Bërthama e koronavirusit SARS-CoV-2, është një rrip i vetëm i acidit ribonukleik (ARN), i rrethuar nga një guaskë proteinike. Virusi ka marrë emrin koronavirus, pikërisht nga majat që dalin nga qendra e tij si një kurorë, ose “korona” në latinisht.
Këto proteina në formë gozhde, nuk janë aty thjesht për dekor. Ato luajnë një rol jetik, që virusi të futet brenda qelizave dhe të kopjojë veten. Vaksinat funksionojnë duke e mësuar sistemin imunitar të trupit të njeriut të njohë dhe bllokojë viruset. Çdo vaksinë funksionon nën këtë parim bazë. Ato synojnë të aktivizojnë qelizat T ndihmuese të sistemit imunitar, të cilat janë përgjegjëse për zbulimin e pranisë së një virusi. Ata udhëzojnë qelizat B të krijojnë antitrupa, të cilat nga ana e tyre e bllokojnë virusin nga të qenit në gjendje të vetë-kopjohen, dhe të lëshojë qelizat T-vrasëse që të shkatërrojnë qelizat e infektuara. Disa vaksina, mund të aktivizojnë vetëm një pjesë të kësaj përgjigje imune.
Vaksinat që përdorin acidin nukleik (ADN dhe ARN).
Vaksinat e ADN-së, përmbajnë materialin gjenetik që mbart ‘planin’ sesi sulmohet proteina që rrethon koronavirusin. Për ta futur ADN-në në qeliza, studiuesit përdorin një impuls elektrik për të prishur membranën qelizore. Pasi hyn brenda, ADN-ja përdoret si një shabllon për të krijuar proteinën në formë gozhde. Nga ana tjetër, vaksinat e ARN-së përmbajnë një rrip të materialit gjenetik brenda një flluske yndyrore. Pasi hyn brenda qelizës, ARN-ja prodhon një proteinë që gjendet në sipërfaqen e virusit. Sistemi imunitar i njeriut, mëson ta njohë virusin. Këto vaksina kanë përparësinë e shpejtësisë. Ato mund të projektohen dhe prodhohen shpejt. Por deri tani nuk janë aprovuar për përdorim jashtë studimeve mjekësore, dhe ka të ngjarë të kërkojnë dy doza.
Vaksinat me vektorët viralë
Disa vaksina përdorin një virus, që është krijuar për të qenë i padëmshëm, dhe për të futur një gjen nga koronavirusi në qeliza. Gjeni kodohet për një pjesë dalluese të koronavirusit, dhe sistemi imunitar mëson ta njohë atë. Vaksinat me vektor viral mund të zhvillohen shpejt. Një nga shqetësimet, është se njerëzit mund të zhvillojnë imunitet ndaj vektorit viral, duke e bërë këtë qasje potencialisht më pak të dobishme, nëse nuk merren doza shtesë të vaksinës.
Vaksinat e nën-njësive
Disa vaksina tradicionale, funksionojnë duke shpërndarë proteinat virale në qeliza. Teknologjitë për t’i prodhuar ato fragmente proteineike ndryshojnë, por kompanitë po përdorin aktualisht qelizat e insekteve dhe majanë. Kështu, vaksina ndaj hepatitit B, mbështetet në një proteinë virale të krijuar nga majaja e gjeneruar gjenetikisht.
Vaksinat e dobësuara ose joaktive të virusit
Në një qasje të modës së vjetër, virusi dobësohet në mënyrë që të mos shkaktojë dot sëmurje, por sërish e ngacmon sistemit tonë imunitar. Vaksina kundër fruthit, shytave dhe rubeolës, përdor këtë qasje. Vaksinat ndaj viruseve të inaktivizuara përmbajnë viruse të vdekura, apo të paafta për të infektuar njerëzit, por ende në gjendje ta udhëzojnë sistemin imunitar se si të krijojë një reagim mbrojtës kundër një infeksioni. Vaksina kundër poliomielitit, e shpikur nga Xhonas Salk e përdori këtë qasje, ndërsa edhe vaksinat e gripit përdorin këtë teknologji. Këto vaksina, kërkojnë zakonisht më shumë kohë për t’u zhvilluar.
Vaksina të tjera
Informacioni mbi platformën teknologjike që përdoret, nuk ishte i disponueshëm për të gjitha vaksinat eksperimentale. Disa vaksina që po testohen, nuk synojnë në mënyrë specifike koronavirusin, por synojnë të rrisin vijën e parë mbrojtëse të sistemit tonë imunitar.