Thirrjet e presidentit Ilir Meta në adresë të rinisë që të marrë fatet e saj dhe të vendit në dorë, sherret dhe përplasjet mes kreut të shtetit dhe qeverisë e sidomos kryeministrit Edi Rama, ecuria e reformës në drejtësi dhe ngritja e SPAK e BKH, procesi i vetingut, hapja e dosjeve të bujshme, votimi i ndryshimeve kushtetuese dhe aktualiteti politik, kanë qenë disa nga çështjet të cilat janë komentuar nga ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror.
Ky i fundit gjatë një interviste për gazetën “SOT”, deklaroi dje se thirrjet e Metës për revolucion janë shqetësuese, ndërsa ish-kryeministrin Sali Berisha e konsideroi një të mjerë që nuk e dëgjon kush. Sipas tij, procesi i vetingut ia skarcoi njerëzit në gjykata e prokurori Berishës, andaj dhe ky i fundit është hedhur në sulm kundër reformës në drejtësi.
Ndërkohë, ish-kreu i SHISH teksa u ndal tek reforma në drejtësi, theksoi se ka ardhur kohë që të bardhen dosjet e bujshme. Sa i takon faktit se a do të jetë Berisha sërish në listat fituese për deputetë të Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, sipas tij, është pak e vështirë që Berishës t’i imponosh largimin, nëse ai nuk e ka dhënë pëlqimin për këtë gjë.
Politika duket se ka sheshuar përplasjet pas ndryshimeve kushtetuese që u miratuan mes debateve në 30 korrik në Parlament. Si e shikon këtë “armëpushim” dhe a mendoni se situata do të vijojë e qetë?
Natyrisht që duke qenë se politikanët kanë ikur me pushime, nuk habitem dhe nuk është çudi që palët kanë ulur tonet dhe kanë futur “shpatat” në këllëfë. Por besoj se nga vjeshta do të fillojnë të gjitha partitë politike një para fushatë dhe nga kjo pikëpamje jam skeptik që kjo situatë që është tani do të vijojë. Pra, mendoj se duan apo nuk duan politikanët, fakti që jemi para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021, iu imponon atyre që të dalin edhe nga vetja dhe të nisin sherrnajat. Kështu që si përfundim mendoj se situata nuk besoj dhe nuk e parashikoj se do të jetë shumë e qetë. Mos harroni që kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka thënë se do të bëhet rotacioni politik domosdo dhe kjo deklaratë lë të nënkuptohet se Luli i ka hipur kalit mbrapsht. Kështu që deri sa këto idera qarkullojnë dhe bën këto deklarata, kam frikë se edhe do të përplasen palët.
Por mendoni se do të kemi një konsensus për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, pas votimit të marrëveshjes së 5 qershorit dhe asaj për ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugë hapjes së pjesshme të listave për deputetë?
Konsensusi është mirë që të jetë mes mazhorancës socialiste dhe 2 opozitave (asaj brenda dhe asaj jashtë Parlamentit). Por duhet të keni parasysh faktin se përderisa u bënë ndryshimet kushtetuese, do të bëhen edhe ato në Kodin Zgjedhor. Është Kuvendi i Shqipërisë që dha dritën jeshile dhe ata janë përfaqësues të popullit, kështu që nuk ka zgjedhje tjetër, veçse të miratohen ndryshimet, duke u reflektuar në Kodin Zgjedhor.
Si e shpjegoni faktin që i vetmi person që nuk ka folur dhe reaguar në lidhje me votimin e ndryshimeve kushtetuese, duke mos thënë as “Pro” as “Kundër” është ish-kryeministri Berisha? Si e shihni këtë heshtje?
Saliu e shikon që nuk ka zgjidhje tjetër sa i takon kësaj çështje dhe Berisha e ka pranuar në një farë mënyrë me heshtjen e tij. Kështu që Berisha duke e parë që punët po shkojnë në hulli dhe drejt zgjedhjeve, për shkak se u votuan ndryshimet kushtetuese, do të bëhen edhe ndryshimet përkatëse në Kodin Zgjedhor, ai nuk ka çfarë të thotë më. Saliu nuk ka çfarë të thotë më, pasi këto gjëra mund të thuheshin përpara se të bëheshin këto ndryshime, sepse tani debatet dhe kundërshtitë janë nul.
Në përgjithësi Berisha pak u prononcua. Mos harroni që po të kishte zgjidhje tjetër, Berisha natyrisht që do të prononcohej dhe do të lëvizte gurët për të bërë trazira. Pra, deri sa u votuan në Kuvend, janë pranuar dhe kjo në këtë rast vlen edhe për Saliun. Mirëpo, mendoj se gjithë problemi tani është se kush nga partitë apo grupimet politike do të bëjë për vete popullin, duke qenë se vitin që vjen do të mbahen edhe zgjedhjet parlamentare 2021. Pra, nga kjo pikëpamje dua të shtoj se për mua gjërat janë sqaruar dhe nuk ka mbetur gjë për të rrahur e debatuar. Palët duhet tani të shfaqin alternativat e tyre dhe të joshin qytetarët me alternativa për t’u votuar.
Por ish-kryeministri gjithashtu herë pas herë teksa sulmon dhe akuzon qeverinë, iu ka bërë thirrje qytetarëve që të protestojnë, kundër kryeministrit Edi Rama, pasi sipas tij, nuk ka rrugë të dytë. Keni një koment?
E kam thënë edhe më parë gjatë këtyre 30 viteve që Saliu vetëm dhunë dhe revolta kërkon, Kështu që duke qenë se i ka pasion, këto, ai kërkon të shfrytëzojë situatën për kaos. Por nuk e dëgjon më njeri Saliun.
Megjithatë i ashpër në reagime dhe në retorikë politike, duke akuzuar qeverinë këto ditë është presidenti Ilir Meta. Jo më larg se disa ditë më parë, zoti Meta shfrytëzoi Ditën Ndërkombëtare të Rinisë për të sulmuar qeverinë dhe iu bëri thirrje qytetarëve që të ngrihen e të marrin në dorë fatet e tyre dhe të vendit. A është normale që një president të bëjë thirrje që qytetarët dhe sidomos rinia të ngrihen për të përmbysur qeverinë?
Shiko! Thirrjet e presidentit Ilir Meta, janë thirrje për revolucion dhe kjo është shqetësuese. Po ta lexosh atë që kërkon Meta, është e qartë që ai po kërkon revolucion. E thënë ndryshe kur kjo thirrje i drejtohet rinisë quhet “Revolucion”. Kjo pasi rinia ose është e organizuar në parti dhe pastaj këtë punë e bëjnë partitë, ose ata që nuk janë të organizuar në parti dhe duan të marrin fatet e vendit domethënë kjo është që unë e lexoj nga thirrja e Ilirit që të bëjnë revolucion.
Por nga ana tjetër dua të them se thirrjet e Metës janë edhe për të shkuar radhën dhe për t’i treguar muskujt Edit. Nga kjo pikëpamje Ilir kërkon të bëjë një gjë dhe ka zgjedhur këtë rrugë, duke ashpërsuar tonet. Kështu që, duke qenë se Meta ka ndonjë ide që e dëgjon rinia apo ku ta di unë se çfarë, me ato që thotë ai, e në mënyrë që të jenë udhërrëfyese për njerëzit, kjo sipas tij, është një zgjidhje për të. Pra, Meta po bën punën e tij në këtë mes dhe mendon se kjo është më e mira sipas tij, ku revolucioni duhet. Kaq është komenti im për këtë çështje.
Po ashtu presidenti Meta në mënyrë të vazhdueshme ditët e fundit iu ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që të rikthehen në atdhe, ndërsa bën përgjegjëse qeverinë për shpopullimin e Shqipërisë. Si ju duken këto deklarata?
Këto thirrje të Ilirit janë si ato thirrjet revolucionare që i adresoheshin rinisë. Por duhet të dinë një gjë, që ky vend është shpopulluar qysh para 30 viteve, kohë që përkoi me rënien e komunizmit. Njerëzit asokohe ikën me shpresë se do të gjenin një jetë më të mirë atje ku vinin dhe kështu vijojnë edhe sot e kësaj dite të ikin me të njëjtën ide, me shpresën se në destinacionin ku janë nisur të gjejnë një jetë më të mirë. Nuk është mirë natyrisht që ndodh ky fenomen, kjo edhe për faktin se punët tanimë i kemi në dorën tonë dhe nuk na pengon kush se si do të duhet të veprojmë, qoftë edhe një gjë të mirë dhe të dobishme për vendin. Kështu që thirrjet e presidentit Ilir Meta janë thirrje koti dhe shkojnë në “vesh të shurdhët”, pasi njerëzit nuk dëgjojnë më kërkënd dhe aq më tepër Metën. Të gjithë qytetarët dëgjojnë interesin e tyre, duke qenë se e kanë dëgjuar shumë politikën gjatë këtyre 30 viteve, e cila nuk iu ka dhënë gjë dhe i ka zhgënjyer. Pra si përfundim presidenti Meta nëqoftëse nuk e di, duhet ta kuptojë që nuk ka më impakt.
Si shpjegohet që kemi një krisje kaq të madhe mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Ilir Meta? Çfarë mund të ketë ndikuar?
Mesa di unë Edi dhe Iliri janë të thyer dhe i kanë raportet e tendosura prej sa e sa vitesh. Por herë pas here i rregullojnë provizorisht marrëdhëniet dhe i ndreqin pak. Por një gjë duhet të dini, që Meta dhe Rama nuk kanë qenë kurrë bashkë. Kështu që dua të them se ndarja nuk është politike mes tyre, por është një ndarje për shkak të interesave (interesash).
Si e shihni procesin e nisur në PD për përzgjedhjen e kandidaturave për deputetë në 12 qarqe dhe ato për kryetarë në 61 bashkitë e vendit? Do të sjellë ndonjë risi?
Po ja të shohim, se nuk mund të marrë përsipër të bëjë fallxhorin dhe të them se do të ketë risi apo do të jetë i dobishëm apo i padobishëm. Por mesa duket kriteret janë vënë, komisioni është ngritur dhe pritet që rezultatet të dalin shumë shpejt. Mirëpo, pritet të shihet se kush do të jenë të rejat. Nuk di të them më shumë.
A besoni se ish-kryeministri Sali Berisha do të pensionohet politikisht?
Jo, jo, mos e çoni ndërmend! Unë besoj se Sali Berisha do të jetë sërish në listat fituese për deputetë të Partisë Demokratike sa i takon zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021. Është pak e vështirë që Berishës t’i imponosh largimin, nëse ai nuk e ka dhënë pëlqimin për këtë gjë.
Si e shihini qëndrimin e ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim, e cila shumë në mbrojtje të SPA dhe Policisë së Shtetit?
Ore, duhet të kuptoni një gjë. Strukturën e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit e ka krijuar bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë, ndër të cilët duhet veçuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që janë kryesore.
Pra, ambasada e SHBA e ka thënë troç fare dhe kjo nuk është diçka që ne po e hamendësojmë që ajo do të mbrojë me forcë punën e të gjitha institucioneve të reja të drejtësisë, sidomos SPAK. Ndërkohë që edhe Policia e Shtetit nuk është se po shohim që po bën ndonjë ndërhyrje apo shkelje ligje e tejkalim kompetencash të rregulloreve të veprimeve të saj.
Nga kjo pikëpamje janë vërtet 2 institucione që duhet mbrojtur. SPAK dhe Policia janë institucionet që janë në luftë të vijueshme dhe të përditshme me krimin, e madje me të gjithë aktivitet e paligjshme si korrupsioni, etj, kështu që janë dhe do të jenë në qendër të sulmeve nga politika dhe grupet e interesit. Pra, këto 2 institucione, së bashku me Byronë Kombëtare të Hetimit duhen mbrojtur shumë, pasi të tjetër edhe mund të bëjnë një “sy qorr e një vesh shurdh” përpara aktiviteteve të paligjshme, por policia nuk bën dot, SPAK jo e jo, sepse e para që do të ishte dhe reagonte fort do të ishte media, e pasandaj do të niste ofensiva nga politikanët. Do të thoshin ku ishte policia?
Çfarë bëri policia? Si përfundim unë e përshëndes, madje i përshëndes të gjitha deklaratat e ambasadores së SHBA në Tiranë, Yuri Kim, e cila ka marrë në mbrojtje SPAK, BKH dhe Policinë e Shtetit. Pra, na takon ta falënderojmë zonjën Kim për mbështetjen që po i jep reformës në drejtësi dhe organeve të reja të dala prej saj.
Fakti që BKH do të ketë një agjent të FBI, a rrit shpresat për hetim të politikanëve apo pushtetarëve në nivele të larta?
Nuk e di në nivel politik apo jo. Kjo pasi nuk ka kuptim për mendimin tim, duke qenë se “krimi” është “krim” dhe ai duhet të ndiqet në çdo nivel që të jetë. Por nga kjo pikëpamje dua të theksoj se Byroja Kombëtare e Hetimit do ta çojë përpara luftën kundër korrupsionit, për shkak se aty është agjenti amerikan dhe ky i fundit nuk heziton dhe nuk ka frikë që të guxojë e hetojë një zyrtar të lartë. Pra unë shpresoj se një ndihmë nga partnerët ndërkombëtarë do të ishte e mirëpritur për të luftuar korrupsionin.
A mendoni se drejtësia e re do të sjellë arrestime “VIP”?
Mendoj se ka ardhur koha të vendoset drejtësia dhe dosje si “21 janari”, etj. të hapen, madje të gjitha dosjet e bujshme që unë i quaj dosje të zakonshme, pasi janë faje që kushdo që i ka kryer duhet të përgjigjet. Të bujshme i keni bërë ju mediat, unë i quaj të zakonshme. Prandaj gjyqtarët tremben ngaqë i quani ju të bujshme. Ato janë dosje dhe duhen hetuar dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë. Pra, një njeri sado i madh të ketë qenë ministër apo ish-ministër apo ish-kryeministër punë e madhe fort, po ka bërë zullume merre hetoje dhe çoje në burg. Ka ardhur koha për të dhënë llogari. Kaq!
Me mënyrën se si po përplaset politika për reformën në drejtësi a ka gjasa për hapjen e negociatave?
Mirë ishte të hapeshin negociatat. Por nuk është ky problemi. Negociatat reflektojnë situatën në vend. Duhet të rregullohen njëherë gjërat në vend, pastaj negociata. Këto të fundit nuk janë të parat, pasi kryesorja është progresi në vend në çdo aspekt. Negociatat nisin sot e vijojnë 7-8 vjet. Nuk është ky problemi, u hapën në tetor apo dhjetor. Ky është mendimi im. Nuk duhet të përdorim politikisht negociatat, pasi futja e hundëve është e dëmshme.
Duke qenë se po afron dita kur u ekzekutua ish-deputeti Azem Hajdari, si e shpjegon që procesi ndaj Izet Haxhisë ka ngecur?
Jo nuk i intereson politikës e sidomos Saliut zbardhja e vrasjes së Azem Hajdarit. Mos harroni që ish-kryeministri Sali Berisha është përgjegjësi kryesor për qindra vrasjet që kanë ndodhur në Tropojë. Berisha i nxiti ato, ndërkohë që edhe pas vrasjeve të vëllezërve Haklaj ka gisht Saliu. Sali Berisha u rrafshoi shtëpitë dhe madje u prishi edhe varet familjes Haklaj dhe dihet që kjo gjë do ta shtonte dozën e përplasjeve mes grupeve. Berisha ka gisht për të gjitha këto.
Disa gjyqtarë të njohur si mbështetës të PD kanë dhënë dorëheqjen. A mendoni se Berisha vijon të ketë ndikim në gjyqësor?
Shiko, fakti që po japin dorëheqjen është gjë e mirë. Kjo kategori e di që nuk do të kalojë vetingun dhe kështu kanë nisur të dorëhiqen. Po sigurisht që Berisha ka ndikim, por besoj se me ikjen një nga një të njerëzve të tij, ndikimi i tij po venitet. Se mos harroni që ata që po punojnë sot në sistemin e drejtësisë i kanë thirrur mendjes dhe nuk besoj se do të ndikohen.
Gjykatat kanë kthyer për rishqyrtim dosjet për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla dhe ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. A mendoni se këta të dy do të jenë “kurbanët” e parë të reformës në drejtësi?
Për ish-ministrin Tahiri jam i bindur se është lojë politike. Ndërsa për Llallën e ka më thënë që dikur ishte një drejtor i një banke të nivelit të tretë dhe e morën ata e vunë në krye të ILDKPI, e më pas e bënë Prokuror të Përgjithshëm. Kështu që, të flasësh për Adriatik Llallën është humbje kohe se ai është një dështim në vetvete dhe se ka qenë vegël e atyre që e vunë atje. Adriatik Llalla na premtoi shpeshherë kur ishte në krye të akuzës që do bënte gjëra të mëdha, prisni se vitin tjetër do të kapen “peshqit e mëdhenj”. Por praktikisht ai më shumë ka fjetur mbi dosje sesa ka punuar. Kaq! Nuk mund të komentoj më shumë këtë personazh, që për mua është askush dhe një dështim i madh. Por shpresoj që drejtësia të flasë.