Klubet e Premier League-s votuan kundër aprovimit të rregullit të pesë zëvendësimeve për sezonin e ardhshëm. Edicioni tjetër i kampionatit anglez do të startojë pas një muaji, më saktë në datën 12 shtator dhe krerët e Premiership-it diskutuan për një ndër rregullat bazë të këtij sporti, pra pikërisht për numrin e zëvendësimeve të lejuara në një ndeshje futbolli. Për shkak të ndërprerjes së kampionatit, izolimit dhe masave të forta shtrënguese për shkak të pandemisë së koronavirusit të gjithë aktivitetet futbollistike në ishull u ndërprenë. Tre muaj më pas në mesin e muajit qershor për pjesën e mbetur si në Premier League ashtu dhe në Championship, apo qoftë edhe në të gjitha ndeshjet e play off-it ose play out-it, përsa i përket ligave inferiore në Angli u vendos që të lejoheshin deri në pesë zëvendësime, të ndarë në tre pjesë të caktuara të lojës.

Natyrisht një rregull i tillë u aprovua në masë të gjerë, me qëllimin për t’iu ardhur në ndihmë futbollistëve dhe për të evituar dëmtimet që mund të shkaktoheshin për arsye të ngjeshjes së kalendarit. Shumë klube filluan të ankoheshin për disnivelin që krijon një rregull i tillë dhe favorizimin e skuadrave të mëdha, nisur nga stoli i bollshëm dhe numri i madh i zgjedhjeve që ato kanë në dispozicion, sidoqoftë votimi i kryer këtë herë hodhi poshtë mundësinë që rregulli i pesë zëvendësimeve të vazhdojë të aplikohet edhe përgjatë sezonit të ardhshëm, pavarësisht faktit se FIFA iu ka lënë dorë të lirë drejtuesve të çdo kampionati për të aplikuar sërish deri në pesë ndërrime, nëse klubet bien dakord.

Nëpërmjet votimit të kryer drejtuesit e klubeve dolën në masë kundër rregullit të mëparshëm, që sigurisht ishte i përkohshëm dhe vlente vetëm për periudhën e ngjeshur pas pandemisë së virusit COVID-19, ndërsa tani të gjithë po mendojnë për t’iu rikthyer normalitetit, madje drejtuesit e qeverisë kanë lënë të hapur mundësinë që në Premier League duke filluar që nga muaji tetor stadiumet të mbushen me 1/3 e kapacitetit të tyre. Vetë krerët e FIFA-s vendosën që të lejojnë kryerjen e pesë zëvendësimeve edhe për vitin e ardhshëm, një rregull që do të përdoret në masë të gjerë nga qeveria botërore në çdo aktivitet deri në gushtin e vitit tjetër, që nënkupton se një rregull i tillë mund të zbatohet edhe gjatë Kampionatit Evropian apo Kupës së Amerikës së Jugut.

Pas kthimit të rregullit të vjetër të tre zëvendësimeve u vendos gjithashtu edhe për numrin e lejuar të futbollistëve që ulen në stol. Pas rifillimit të kampionatit, pas ndërprerjes për shkak të pandemisë së koronavirusit ishte përcaktuar që numri i lojtarëve në dispozicion të çdo trajneri në Premier League të rritej nga 7 në 9, sidoqoftë tani gjithçka do të kthehet si më parë dhe duke filluar nga edicioni i ardhshëm 2020-21 numri i futbollistëve rezervë për çdo skuadër do të jetë vetëm 7. Nga sa u bë e ditur trajneri i Evertonit Carlo Ancelotti ishte mbështetës i fortë i idesë për të patur nëntë lojtarë të gatshëm, megjithatë ky propozim u hodh poshtë nga shumica.

Drejtuesit e Premier Leagues aprovuan gjithashtu edhe zbatimin e rregullores së Sistemit VAR në bazë të protokollit të përcaktuar nga FIFA. Një vendim i tillë erdhi si rrjedhojë e kalimit të kompetencave të mbikëqyrjes dhe monitorimit të Sistemit VAR nga IFAB, International Football Association Board, pra organit që merret me përcaktimin e rregullores përsa i përket këtij sporti në varësi të FIFA-s, qeverisë botërore të futbollit. Krerët e kampionatit anglez vendosën gjithashtu edhe për një këshillim më të shpeshtë nga ana e arbitrave kryesorë me monitorët, që janë pranë fushës, duke krijuar në këtë mënyrë mundësinë për të gjykuar më mirë në lidhje me golat, kartonët e kuq apo dhe 11-metërshat.

Nga sezoni i ardhshëm në Premiership do të përsëritet çdo penallti e pritur, në rast se pamjet e Video Asitant Referee konfirmojnë që portieri nuk e ka prekur me njërën këmbë vijën fatale. Sistemi VAR do të urdhërojë menjëherë për përsëritjen e gjuajtjes së 11-metërshit në rastet kur portieri e prek sadopak topin, megjithatë gjithçka do të lejohet të vazhdojë normalisht nëse topi i gjuajtur nga pika e bardhë godet shtyllën, traversën apo përfundon jashtë. E njëjta gjë vlen gjithashtu edhe për futbollistët që qëndrojnë jashtë zonës së rreptësisë në momentin e gjuajtjes së 11-metërshit. Nëse ndonjëri prej futbollistëve të ekipit që ka penalltinë në dispozicion përfiton në njëfarë mënyre për të shënuar nga futja përpara kohe në zonë, para se të kryhet goditja, atëherë gjithçka do të anulohet dhe goli do të konsiderohet si i pavlefshëm. /SS