Ronald Koeman pritet të emërohet trajner i Barcelonës zyrtarisht në ditët në vazhdim, por nuk ka dashur ta konfirmojë një gjë të tillë edhe pse e ka pranuar se e ëndërron që kjo do të ndodhë. Ai ishte në Barcelonë të hënën, ndërsa sot u pa duke dalë nga zyrat e Federatës së Futbollit të Holandës dhe u pyet nëse do ta marrë rolin e trajnerit të gjigantit katalonas.
Barcelona e shkarkoi dje trajnerin Quique Setien, tri ditë pas humbjes turpëruese 8:2 kundër Bayern Munich në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. “Nuk mund të them shumë”, i përgjigj Koeman i pyetur nëse do të emërohet trajner i Barcelonës.
“Po, do të doja (të bëhem trajner i Barcelonës), është e qartë”, shtoi ai. “Do të ishte ëndërr e bërë realitet. Por do të jetë e sigurt vetëm kur të ketë marrëveshje dhe nënshkrim në letër”, theksoi ai.