Italia ka vendosur të bëjë teste të shpejta koronavirusi në aeroport për të gjithë turistët që kthehen nga vendet që konsiderohen të rrezikshme. Ekspertët janë të shqetësuar nga numri i infektimeve të reja që në ditët e fundit vazhdon të rritet, veçanërisht mes atyre që kthehen nga pushimet në vende si Spanja, Greqia, Kroacia dhe Malta. Veç të tjerash, është ulur shumë edhe mosha mesatare e atyre që sëmuren, që tashmë është nën 40 vjeç. Kjo do të thotë se janë më së shumti të rinjtë, shpesh asimptomatik apo me simptoma të lehta, ata që bëjnë që të qarkullojë virusi.
Ndërkohë Greqia fqinje ka njoftuar masa të reja që kanë si qëllim të ndalin rritjen e fundit të infektimeve. Sipas autoriteteve greke, tani, vizitorët nga Spanja, Belgjika, Suedia, Holanda dhe Republika Çeke duhet të tregojnë prova se kanë rezultuar negativ në testin për koronavirusin para se të hyjnë në vend. Autoritetet po ashtu vendosën të mbyllnin gjatë natës baret dhe restorantet në destinacionet kryesore turistike siç janë ishujt e Kretës, Santorinit dhe Rodosit.
Ministri i Shëndetësisë në vend tha se infektimet po rriteshin në mënyrë të rrezikshme. Vendi kishte regjistruar një performancë të kënaqshme në përballjen me koronavirusin deri më tani dhe konsiderohej madje edhe destinacioni më i sigurt turistik në Evropë, por ditët e fundit, edhe atje shifrat u kthyen në rritje. Edhe Spanja, një nga vatrat e nxehta të fillimit të pandemisë ka raportuar një rritje të ndjeshme të infektimeve me mbi 1400 raste të reja në 24 orët e shkuara. Po ashtu vendi ka regjistruar edhe 73 vi ktima të koronavirusit që nga e premtja, e kjo është rritja më e madhe në muaj.